Alkena: Neda, vajza që meriton të fitojë "Big Brother- in"
Alkena, vajza elegante nga Kosova, që një javë më parë la lojën e Big Brother, e vlerëson veten me fat që ishte pjesë e këtij reality-show. Në këtë intervistë për gazetën “Mapo”, ajo tregon përshtypjet e saj, arsyet përse ajo nuk u shtir gjatë lojës, opinionin për banorët dhe marrëdhëniet në çift të disave prej tyre, si edhe mendimet për banorin që meriton të marrë çmimin e parë.
Alkena, si do ta vlerësoje eksperiencën në Big Brother?
Duke marrë parasysh historikun, shtrirjen dhe qëllimin e “Big Brother”, mendoj që isha me shumë fat të jem pjesë e tij.
E prisnit që të dilnit javën e kaluar?
Të gjithë që hyjnë aty, do dalin një ditë. Nëse jo javën e kaluar, me siguri në një javë tjetër do dilja. I rëndësishëm është imazhi që krijon dhe ajo çka transmeton te banorët së pari, e pastaj edhe te publiku.
Cila sjellje, mendoni se ju bëri që të votoheshit për të dalë nga loja?
Mendoj që nuk ishte sjellja, mendoj që ishte mossjellja, ajo që më eliminoi. Nominimi nuk më ndryshoi dhe kjo me siguri është vënë re edhe te publiku. Besoj që ata ishin të interesuar të shihnin SHOW nga unë, por nuk jam edhe aq mirë në të qënurit aktore, vetëm për shkak të nominimit.
Mendoni se deklaratat tuaja patriotike, apo refuzimi i prodhimeve greke, ju kanë penalizuar në ndonjë rast?
Deklaratat e mia patriotike nuk u dënuan, ndjenjat e mia patriotike nuk u cenuan asnjëherë. Të gjithë i kemi, dikush më pak e dikush më shumë evidente. Refuzimi i prodhimeve greke apo serbe, ka të bëjë me bindjet e mia personale, si jashtë, ashtu dhe brenda, as kjo nuk më penalizoi. Unë e arsyetova sjelljen time dhe mendoj që arsyetimi ishte shumë i qartë dhe i pranueshëm.
Çfarë opinioni keni sot për banorët? Ka ndonjë prej tyre që ju zhgënjeu?
Nuk zhgënjehem nga personat, të cilët edhe brenda, në një mënyrë ose tjetër, kanë tentuar të më demotivojnë. Do zhgënjehesha nga personat të cilët i dua dhe krijova marrëdhënie të mira brenda, mirëpo nga ta nuk erdhi asnjë zhgënjim.
Cila marrëdhënie në Big Brother ju duket e gënjeshtërt?
Ajo marrëdhënie që ishte gënjeshtër edhe u shkëput.
Si ju duket marrëdhënia e Nedës me Ogrenin?
Të paktën për Nedën, e di që ajo që po përjeton është shumë reale, nëse ajo e konsideron si të arsyeshme, unë e përkrah, ajo çka dua është që Neda të ndjehet mirë.
Po raporti i Marjetës me Marielin?
Janë karaktere që përshtaten dhe nuk janë në gjendje të gënjejnë ndjenjat e tyre, për shkak të një loje. Mendoj se raporti i tyre, është i pastë.
Kë shihni si fitues të lojës?
Unë do doja të ishte Neda, i ka të gjitha predispozitat e një fitueseje të merituar dhe të denjë.
Kë nuk do të donit që ta fitonte lojën?
Ata të cilët kanë hyrë aty me rol të caktuar, të paracaktuar, që nuk janë vetja e tyre, për atë gjë, u rekomandoj Hollywoodin e jo Big Brother-in. Sepse dihet që është REALITY SHOW, e jo vetëm SHOW e as teatër.
Me çfarë do të merreni në vazhdimësi?
Me gjërat që jam marrë gjithmonë, do vazhdoj shkollimin, do vazhdoj aktivitetet e mia.
Pretendoni të jeni pjesë e spektakleve në Shqipëri apo Kosovë?
Pretendimet e mia nuk ngjasojnë shumë me spektakle, por nëse vijnë janë të mirëseardhura.
Festë e lot në shtëpinë e Big Brother
Neda grindet me Ogrenin dhe qan me dënesë
Mes shumë ngjarjeve, që kanë shoqëruar këtë javë shtëpinë e Big Brother, ka qenë edhe festimi i ditëlindjes së tre banorëve, Ogrenit, Shkëlqimit dhe Klodianës. Big Brother kishte përgatitur një festë surprizë me ta, me torta përkatëse, ushqimet e gatuara nga familjarët dhe verë. Banorët kanë kënduar karaoke dhe më pas, një surprizë tjetër është rezervuar për ta, ku në monitor janë shfaqur filmime ku familjarët e Ogrenit, Klodjanës dhe Shkëlqimit, festojnë ditëlindjet e tyre. Por ja që pas festës, për çiftin Ogren-Neda situata nuk ka qenë aspak e këndshme. Dy banorët kanë diskutuar gjatë në dhomën e gjumit, deri sa Neda është bërë për të qarë. Arsyeja ka qenë pasi, Ogrenit i kishte ngelur hatri me Nedën sepse në momentin që ai do të fikte qirinjtë e tortës së ditëlindjes, Neda nuk ishte aty dhe për më tepër, teksa ai ishte i mërzitur, Neda këndonte me banorët e tjerë. Ogreni ia thotë Nedës, se ajo gaboi me sjelljen e saj, ndërsa Neda mundohet që të justifikohet. Ogreni i thotë se ajo nuk ishte në asnjë moment të rëndësishëm pranë tij, por Neda i thotë se ai nuk i kishte folur fare dhe i kishte kthyer shpinën. Neda ndjehet keq dhe i kërkon që të largohet, por Ogreni nuk e lejon. Neda shpërthen në lot dhe fillon të qajë me dënesë. Ogreni hesht për disa minuta dhe më pas mundohet që të sqarohet me Nedën. Neda i thotë se ai vë re vetëm gabimet që ajo bën dhe jo përpjekjet e saj për të kaluar sa më mirë bashkë. Ogreni i thotë se kjo nuk është e vërtetë, por ai i thotë gabimet që ajo ka. Ogreni i thotë Nedës se ajo nuk ka pse të qajë sepse edhe ai ndjehet keq nga sjellja e saj gjatë kohës që banorët po festonin për ditëlindjen e tij, bashkë me atë të Klodjanës dhe ditëlindjen e Shkëlqimit. Të dy nervozohen dhe debatojnë me tone të larta. Neda i kërkon Ogrenit që ta lërë vetëm, por Ogreni nuk pranon. Ai i kërkon Nedës që të vallëzojnë bashkë. Ai merr Nedën në dhomën e ndenjes, ku ndodhen edhe banorë të tjerë dhe të dy vallëzojnë në heshtje. Situata ka vazhduar po e njëjtë dhe marrëdhënia e tyre, në vend që të avancojë, duket se do të vijojë me këto ritme, tërhiq e lësho…