“Black Swan”-rrëfimi i mjellmës në “Millennium”
Mbërrin në Tiranë, drama psikologjike me Natali Portman dhe Mila Kunis
Me 5 nominime Oskar, 27 çmime të fituara, mes të cilave Golden Globes dhe Sag Awards, për interpretimin e Natalie Portman, 71 nominime të tjera, përfshirë këtu edhe çmimet Bafta, që pritet të ndahen më 13 shkurt, me një aureolë të gjerë suksesi dhe komentesh superlative, jo vetëm nga media, por edhe nga publiku, mbërrin në Shqipëri filmi “Black Swan” (“Mjellma e Zezë”). Trilleri psikologjik i Darren Aronofsky, me protagonistë Natalie Portman, Mila Kunis dhe Vincent Cassel ka nisur të shfaqet që prej ditës së djeshme në kinema “Millennium”. Si arriti Liqeni i Mjellmave, nga skena e baletit në ekranin e madh të kinemasë? Darren Aronofsky e ka një përgjigje: “Më pëlqente shumë idea e dyzimit, mjellma e bardhë dhe mjellma e zezë, e mira dhe e keqja, gjithçka tepër e stilizuar. Ishte shumë bukur ta shikoje në të gjitha anët e botës, nën produksione të ndryshme, përfshirë edhe një në Rusi që kishte një përfundim pozitiv”. Filmi i Darren Aronofsky ndjek historinë e Ninës (Natalie Portman), një balerinë në një kompani baleti në Nju Jork, ekzistenca e të cilës ashtu si për të gjitha balerinat është e lidhur fort me baletin. Ajo jeton së bashku me nënën e saj, balerinë në pension Erika (Barbara Hershey), që e shtyn fort për të realizuar ëndrrën e saj profesionale. Kur drejtori artistik Tomas Leroj (Vincent Cassel) vendos të zëvendësojë primabalerinën Bet Mekitnajer (Winona Ryder) për produksionin që hap sezonin e ri, vendos që t’i japë rolin Nines. Por Nina ka një konkurrente: balerinën Lili (Mila Kunis), e cila gjithashtu gëzon vlerësimin e koreografit. Për “liqenin e Mjellmave” duhet një balerinë që të interpretojë Mjellmën e bardhë, e cila është plot hijeshi dhe pafajësi, si dhe Mjellmën e zezë, sensuale dhe hileqare. Pikërisht kjo mjellma e dytë është problemi i vërtetë i Ninës, e cila duhet të nxjerrë anën e saj të errët, duke rrezikuar të shkatërrojë veten.