E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e dheut rrezikon disa shtëpi në Tërpezë të Ulët

Një shembje e pazakontë dheu në vendin e quajtur Rreze në Tërpezë të Ulët që ka ndodhur pas reshjeve të fundit

atmosferike e ka bllokuar rrugën dhe i ka rrezikuar edhe disa familje afër rrugës. Ndonëse rruga është zhbllokuar përkohësisht me makinerinë përkatëse lëvizja e tokës ka krijuar frikë dhe pasiguri tek familjet e Sylejmanajve që jetojnë në atë pjesë.

Familja e Xhemë Krasniqit është më e rrezikuara nga kjo shembje. “Pas vërshimeve që ndodhën para pak ditësh rruga para shtëpisë sonë dhe të disa familjeve të tjera u bllokua tërësisht”, ka bërë me dije ai. “Kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë më parë këtu dhe shembjet e tanishme krijojnë pasiguri tek ne”, ka shtuar Krasniqi duke e treguar tokën e qarë në bregun përballë shtëpisë së tij ku të çarat vërehen në çdo pjesë të saj. “Ne nuk i kemi kushtet me e zgjidhë këtë problem vet dhe kemi kërku ndihmë nga Komuna e

Malishevës prej nga kemi marrë premtime nga zyrtarët komunal se do ta rregullojnë këtë punë duke e vendosur një mburojë përballë vendit ku po shembet dheu”, ka thënë Krasniqi prindi i të cilit ishte zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. “E rëndësishme është që komuna mos me zvarritë rregullimin e këtij problemi pasi mundet me u rreziku edhe shtëpia”, ka thënë ky qytetar. Rrugën me rastin e bllokimit e kishte zhbllokuar një qytetar nga Carralluka me makinerinë e tij.

Sipas Krasniqit nga shembjet e dheut në këtë pjesë rrezikohen shtëpitë e 3-4 familjeve si dhe mund të mbyllet rruga për rreth 20 shtëpi.

“Rrezikohet edhe rrjeti elektrik dhe kjo gjë mund të sjellë pasoja”, ka theksuar Krasniqi. “Nëse këto shembje e luajnë shtëpinë s’kam llogari më të rri këtu dhe nuk kam ide se çka do të ndodhë pasi kushtet ekonomike i kam të dobëta”, ka shprehur brengën e tij Krasniqi. Fjalët e këtij të riu i ka pohuar edhe fqinji i tij Salih Krasniqi, 68-vjeçar.

Ai ka tërhequr vërejtjen se rruga e cila rrezikon të mbyllet shërben për kalimin e tërë fshatit e shpesh edhe të fshatrave të rrethinës si rrugë alternative. “Këtu ka rrëshqitë dheu me të madhe dhe s’po guxojmë as bagëtinë t`i lëshojmë”, është ankuar Krasniqi. “O blloku këtu dhe nga komuna nuk ishin të zotët një kamion zallë me e pru”, është shprehur ai. “Këtu kurrë përpara s’ka rrëshqitë dheu dhe duhet me ja ba një qare, unë e kam largu më herët ngapak dheun, tani është rrezik jemi frikësu që dheu po na hipë në shtëpi”, ka theksuar Krasniqi.

Në Komunën e Malishevës kanë thënë se janë në dijeni dhe në kërkim të zgjidhjes së problemit të kësaj pjesë të Tërpezës së Ulët. Esat Paçarizi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizimit në Komunë, ka tërhequr vëmendjen se problemi i shembjes së dheut në këtë pjesë është mjaft i komplikuar. “Kemi qenë në Tërpezë të Ulët dhe i kemi bërë incizimet, por për të rregulluar punën aty duhet të punojë një kompani shumë profesionale”, ka theksuar ai. “Në këtë situatë nuk mund të bëjmë asgjë, duhet pritur pushimin e tërësishëm të të reshurave dhe mandej të zgjidhim problemin”, katërhequr vërejtjen Paçarizi. “Ne jemi në kërkim të zgjidhjes por një familje aty e cila e kishte kryefamiljarin e zhdukur është e rrezikuar dhe nuk është mirë të qëndrojë në shtëpi”, ka theksuar drejtori i Urbanizmit. “Si zgjidhje afatgjate për evitimin e rrezikut aty kemi paraparë një mburojë gurësh e cila është më efikase se sa një mburojë eventuale e betontë”, ka vënë në pah Paçarizi./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›