Alketa Vejsiu: Nuk jam socialiste, por do votoj për Shqipërinë e Edi Ramës
Prezantuesja e njohur, Alketa Vejsiu i është bashkuar dje Konventës së Partisë Socialiste. Në fjalën e saj, Alketa Vejsiu ftoi të gjithë shqiptarët të votojnë për Edi Ramën në 23 qershor. Shpresoj të kem dhënë një shembull modest lirie. Jam e bindur që janë të shumtë ata që heshtin sot por që më 23 qershor do të flasin nëpërmjet votës së tyre. Nuk jam socialiste, por unë do të votoj për Shqipërinë e Edi Ramës. Kryetari juaj, dhe shpresoj me shpirt kryeministri ynë i ardhshëm me 23 qershor, idhulli i adoleshencës time, dhe i gjeneratës sime, dhe sot i vetmi politikan që unë qetësisht mund tia besoj votën time. Kam qenë në fakt vetëm 14 vjeç kur e kam takuar këtë personazh ekstravagant, që bënte shumë përshtypje, me çitjanet dhe çorapet e tij vezullues, i lirë dhe moskokëçarës. Pa dashur të fyej askënd, nuk mund ta fsheh se Edi Rama është i vetmi Ministër Kulture që mbaj mend. Ai do të mbetet kryetari i Bashkisë së Tiranës që do të mbahet mend më gjatë në Shqipëri, tha Vejsiu.