E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Meta iku se kërkon të marrë PS ose postin e kryeministrit

Nga Renato Dauti

berishaGjatë turit të tij në qarkun e Gjirokastrës kryeministri Sali Berisha akuzoi ashpër dy prej aleatëve kryesor të Partisë Socialiste, kreun e LSI-së, Ilir Meta dhe atë të PBDNJ, Vangjel Dule. Gjatë inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës, Llongo-Koshovicë, kreu i qeverisë akuzoi kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta se u largua nga qeveria për të marrë postin e kryetarit të PS-së ose atë të kryeministrit.
Ilir Meta
Këta të quajturit opozitarë që çdo gjë tjetër janë, por opozitarë nuk janë sepse z.Rama ka qenë 11 vjet personi i dytë më i rëndësishëm në fuqinë ekzekutive të vendit, kryebashkiak i Tiranës. Ilir Meta qëndroi katër vjet si zv.kryeministër e ministër dhe iku me qëllimin e vetëm që ose që të marrë kreun e PS-së, ose karrigen time që sdo e marrë kurrë. Por, janë sjellë në mënyrë jo normale ndaj minoritetit, sepse kanë mbajtur një qëndrim jo dinjitoz, tha kryeministri Berisha.
Vangjel Dule
Teksa i ftoi minoritarët që të votojnë kandidatin e PD-së, Spiro Ksera, kryeministri Berisha akuzoi kreun e PBDNJ, Vangjel Dule duke e quajtur këtë të fundit si njeri i pazareve. Marrim partinë e zotit Vangjel Dule. Unë kam pasur dhe kam gjithnjë respekt, sepse unë ky jam, por pazaret që ai bën janë shumë të padenja. Ai kishte një përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, zotin Jani Jani. Ai i bënte nder komisionit, sepse në fund të fundit, pa diskutim, ishte një përfaqësues i juaji. E detyruan dhe e terrorizuan njeriun për pazaret që bënë me Ramën dhe në fund Rama i mashtroi. Jani u nxor nga komisioni. Përveç Janit, sollën Naçin. Ju me 23 qershor do të votoni si qytetarë të lirë, por thirrja ime më miqësore është të votoni Spiro Kserën. Spiro Ksera është absolutisht promotor i të gjitha projekteve në zonën e minoritetit, deklaroi kryeministri Berisha. Në vijim, kreu i qeverisë zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të Koshovicës, ku përmendi disa prej arritjeve të qeverisë gjatë këtyre viteve ndërsa premtoi mbështetje në të gjitha fushat veçanërisht në bujqësi dhe blegtori.

Rama: Kryeministrin e ardhshëm e përcakton Kushtetuta
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët pak minuta para fillimit të Konventës së Partisë Socialiste, kreu i saj Edi Rama i është përgjigjur interesit të gazetarëve për sa i përket çështjes së kryeministrit të ardhshëm. Sipas Ramës, për këtë çështje nuk ka asnjë lloj diversioni mes koalicionit të majtë, ndërsa shtoi se kryeministri i ardhshëm do të zgjidhet sipas kushtetutës. Të jeni të sigurt se asnjë lloj diversioni mbi fjalime apo fjali të thëna mes entuziazmit të fushatës elektorale nuk funksionon, Aleanca është kompakte, PS është në sintoni dhe sinkronizim me LSI dhe aleatët e tjerë dhe mos kini merakun më të vogël se kush do jetë kryeministri pas fitores është gjëja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për tu zgjidhur, bazuar në çfarë thotë Kushtetuta dhe vullneti i popullit. Në këtë pikë më vjen keq, por nuk keni çfarë peshkoni se Saliu ka mbetur pas ngjalave dhe i duhet të peshkojë, por fatkeqësisht po peshkon në tokë të thatë, tha Rama. Duke u ndalur tek votimi i tri ligjeve, kreu i PS-së tha se opozita është e gatshme ti votojë ato, me kushtin e vetëm që ato të hyjnë në fuqi në shtator. Nuk është dakord PD. Le të vijojë PD ti votojë, nëse duan vërtet statusin kandidatit. Statusi merret në fund të vitit dhe nëse varet nga këto 3 ligje, urdhëro ti votojmë dhe të hyjmë në fuqi me parlamentin e ri me qëllim që në muajin e verës, kur të jenë duke ngritur pantallonat për të ikur, mos të thonë ato që thonë, deklaroi Rama. Duke u ndalur tek programi i prezantuar nga Partia Socialiste, Edi Rama tha se hartimi i tij është bërë pas konsultimeve me të gjitha grupet në vend.

Meta në Fier: Doktori në botën e çudirave
Lëvizja Socialiste për Integrim çeli dje zyrtarisht fushatën elektorale në qytetin e Fierit. Kreu i LSI-së, Ilir Meta prezantoi para simpatizantëve kandidatët për deputetë në këtë qark. Në fjalën e tij, Ilir Meta tha se në 23 qershor shqiptarët do ti japin fund plagëve të hapura nga qeveria. Jemi këtu për të shëruar plagët e papunësisë, të luftojmë polarizimin dhe varfërinë, të arsimojmë të rinjtë, prandaj më 23 qershor, Feri, Lushnja, Mallakastra dhe të gjithë shqiptarët do ti japin fund përrallave të doktorit në botën e çudirave sepse fierakët dhe shqiptarët duan një lidership qe nuk shikon përralla për që e shikon realitetin në sy, për të ecur më shpejt në rrugën e mirëqenies, tha Meta. Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve, kreu i LSI-së tha se Aleanca për Shqipërinë Evropiane do të marrë 80 mandate deputetësh. Aleanca për Shqipërinë Evropiane do fitojë 80 mandate më 23 qershor. Aleanca jonë do arrijë një nga fitoret më të mëdha në qarkun e Fierit. Jam i lumtur që e shoh Fierin të kuq dhe i bindur se Feri dhe fierakët duke votuar për LSI votojnë me bindje të plotë se kështu do ecet më shpejt drejt së ardhmes evropiane, deklaroi Meta.

Dule: Pazari im me Ramën është largimi i Berishës

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule reagoi pas akuzave të bëra nga kryeministri. Në një deklaratë për mediat, Dule thekson se kryeministrit i është bërë obsesion ideja e ekzistencës së pazareve politike. Kryeministrit i është bërë obsesion ideja e ekzistencës së pazareve politike jo transparente. Produktin e një pazari të tillë në vitin 2009 me synim dëmtimin e PBDNJ-së e kishte sot në krah. Për të mos lënë hapësirë për hamendje, po konfirmojmë pazarin tonë politik në kuadër të zgjedhjeve 2013 me qytetarët dhe mbarë shoqërinë. Kjo me qëllimin e vetëm për të larguar përfundimisht qeverinë e kryesuar nga z. Sali Berisha, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Berisha-emigrantëve: Investoni në Shqipëri
 
Kryeministri Sali Berisha prezantoi pasditen e djeshme kandidatët e Partisë Demokratike për qarkun e Gjirokastrës. Duke folur para mbështetësve të PD-së, kreu i qeverisë u shpreh i bindur në fitoren e një mandati të tretë qeverisës. Para jush prezantojmë sot programin për 4 vitet që vijnë, ky program bazohet para së gjithash në liritë tuaja, iniciativën tuaj të lirë. Programi ynë sjell mundësi punësimi për të gjithë, programi ynë frymëzohet nga ju, në aspiratën tuaj, ju keni të përbashkët ëndrrën evropiane, pavarësisht nga origjina, tha kryeministri Berisha. Teksa vlerësoi nismat e ndërmarra nga qeveria, shefi i ekzekutivit ftoi emigrantët që të investojnë në vendet e tyre. Emigrantëve shqiptarë kudo që janë i ftoj të vijnë në Shqipëri, të investojnë në Shqipëri 3 deri në 5 vjet pa asnjë taksë. Kthehuni vëllezër sillini kursimet në vendin tuaj, apeloi kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›