E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alketa, heroina e Shën Bartolomeut

Thuajse e panjohur në Shqipëri, sopranoja Alketa Çela, është një nga zërat operistikë të njohur në Francë. Interpretimi i saj tek “Hugenotët” është i preferuar nga dëgjuesit në internet

Një zë i qartë, me timbër të veçantë, që garanton sukses. Gati e panjohur në vendin e vet, zëri i saj dëgjohet e ridëgjohet në internet. Në disa nga faqet më të vizituara në internet, ku shkarkohen video nga më të ndryshmet, mjaft e klikuar rezulton të jetë edhe opera “Les Huguenots” (“Hugenotët”). Mbi 5 mijë adhurues të muzikës operistike kanë dëgjuar ariet më të famshme të operës, së interpretuar nga tenori amerikan Rockëell Blake dhe sopranoja shqiptare Alketa Çela, duke i dhënë një vlerësim prej 5 yjesh. Duket se Çela ka mbetur larg vëmendjes së publikut shqiptar, por rezulton të jetë e njohur në Francë dhe konkurset operistike që organizohen aty e rendisin në historikun e tyre si një nga talentet pjesëmarrëse e që ia kanë dalë mbanë në skenat franceze. Edhe pse gjatë viteve të karrierës së saj ka realizuar disa figura të arrira, ajo e heroinës Valentinë, tek “Hugenotët” mbahet si më e mira. “Heroina e ditës quhet Alketa Çela”, - do të shkruanin pas premierës në skenën operistike të Metz-it, kritikët francezë. Madje ndonjë syresh do të guxonte të thoshte se regjistri i saj prej sopranoje dramatike merrte një ngjyrim grykor të ngjashëm me atë të sopranos të madhe Maria Callas, “Valentina sublime e Saint Bris, në sakrificën e saj të fundit. “Les Huguenots” është një opera franceze nga Giacomo Meyerbeer, një nga shembujt më popullorë dhe spektakolarë të operës së “madhe”. Libreti është shkruar nga Eugène Scribe dhe Émile Deschamps. Një ndërthurje e historisë me fantazinë.

Opera kulmon me një ngjarje të njohur historike të vitit 1572, masakrën e natës së Shën Bartolomeut, ku mijëra protestantë francezë u vranë nga katolikët në tentativën për të “çliruar” Francën nga influenca protestante. Një ngjarje e quajtur ndryshe edhe si Lufta fetare franceze. Gjatë masakrës zë fill edhe një histori dashurie mes katolikes Valentine dhe protestantit Raoul, sigurisht një krijim i libretistit.

“Les Huguenots” pati premierën në Operën e Parisit në 29 shkurt të vitit 1836, ku njohu një sukses të menjëhershëm. Kritika e asaj kohe vlerësoi krijimin dhe interpretimin e këngëtarëve. “Hugenotët” është një nga operat më të shfaqura në skenat franceze e botërore. Shfaqjen e saj të 1000-të e pati në 16 maj të vitit 1906. Madje ajo konsiderohet si opera më e suksesshme e shk. XIX.

E duket se kjo vepër i ka “falur” ca nga suksesi i vet edhe sopranos shqiptare. Alketa Çela nisi studimet muzikore dhe operistike në Akademinë e Arteve në Tiranë, në vendlindjen e saj. Pasi fitoi konkursin “Riacciarelli”, ajo perfeksionoi njohuritë e saj në Akademinë e sopranos italiane Katia Ricciarelli në Mantova. Arriti deri në finale më konkursin “Toti Dalmonte” në vitin 1994 dhe fiton çmimin e tretë në konkursin e organizuar me rastin e rikonstruksionit të Teatrit “Fenice”(Feniksi) në Venecia. Pas studimeve në Shqipëri e Itali, Alketa vendos të vijojë trajnimin e saj në Francë. Në vitin 1998, ish- drejtori i Operës së Lionit, Jean-Pierre Brossmann e fton atë në kompaninë e Lionit. Duke vlerësuar muzikalitetin e zërit të saj, drejtuesit e Operës Kombëtare të Lionit i besojnë asaj rolin e Paminës tek “Flauti magjik”, L’Amour tek “Orfeu dhe Euridiçia”, etj. Ajo gjithashtu dha edhe një koncert me krijimtari italiane në Amfiteatrin e Operës së Lionit. Rolin e Paminës e interpretoi edhe në teatrin e Trevisos e më pas rolin e Aurorës tek opera “Orioni” në Teatrin “Fenie” në Venecia në vitin 1998. Më tej rolet do të ndiqnin njëri-tjetrin nga njëra skenë në tjetrën në Francë e Itali me interpretime në vepra edhe më të rëndësishme, si “Don Giovanni”, “Cosi fan tutte”, “La Traviata”, “Turandot”, “Tosca”, “Pagliaci”, “La boheme”, “Les Huguenots”, etj. Gjithashtu fitoi disa çmime të para në konkurse të rëndësishme operistike në Francë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›