E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi? Po na ha retorika boshe!

Popujt që hynë vonë në vallen e qytetërimit kanë edhe ato disa dobira, po të jetë se dinë t’i përdorin. Duke marrë në mënyrë krijuese përvojat e vendeve më të përparuar, ata, mund të shkurtojnë etapat e evolucionit të tyre.

Shteti ynë ka rastin të zgjedhë format më të arrira, pa qenë i shtrënguar të kalojë nëpër ato mundime, kohë e mjetesh që u janë dashur të tjerëve. Për shembull turizmi, në Evropë e në botë, ka kaluar shumë faza përmirësimesh të ngadalshme derisa ka arritur fuqinë, shtrirjen, cilësinë, bukurinë, leverdinë e lartë ekonomike që ka sot. Në Shqipëri, rrugët e turizmit masiv u çelën me vonesë, por kjo nuk e përligj gjendjen “u bubu moj none!” të turizmit tonë.

Në zhvillimin e industrisë së turizmit, shteti, privati, njerëzit që punojnë në mbështetje të zonave turistike mund të përdorin metoda më racionale, më të frytshme, më të shpejta, më të lira të cilat përcjellin kulturë, shëndet, gëzim, çlodhje. Turizmi “allashqiptarçe”, hë për hë, garanton ca fitime sa për vete. Por kjo nuk mjafton për t’u mburrur se turizmi është garanci edhe për ekonominë kombëtare. Sepse, interesat e pronarëve, privatëve janë në ndeshje me interesat e qeverisë dhe anasjelltas; siç po ndodh me qëndrimet aktuale-abuzive ndaj tokës, pronës private, ndërtimet pa leje, mjedisin, në zonat turistike.

Prandaj mund të përfundojmë, pa gabuar, se: po të vazhdojë që ekonomia kombëtare të ushqehet me ligje e rregulla për Maliqin, e për pasojë edhe turizmi, atëherë dëmi është e do të jetë më i madh sesa fitimi. Kërkohen studime të gjëra dhe të imëta të kushteve social-kulturore, ekonomike, i burimeve natyrale, i klimës, tokës, ujit, energjisë elektrike, i gjendjes materiale-shpirtërore të popullsisë së zonave turistike, etj. E jo përkthime rezolutash të BE-së për turizmin dhe përshtatje e tyre me preferencat vetjake të shefave. Gjithashtu, çdo njësi turistike që ndërtohet , çdo teknikë e re që përdoret, publiciteti, çdo mënyrë sjellje dhe shërbimi të jenë pjesë e pandarë e një plan-veprimi të përpunuar mbi baza studimore.

Përndryshe, imitimi i cekët deri në trullosje me ritmin se: bota e qytetëruar bëjnë kështu, o burrani të bëjmë edhe ne si ata, sjell vetëm rënie. Përse jemi në këtë gjendje? Sepse mungon organizimi i arsyeshëm i tërë jetës ekonomike-shoqërore. Mungon përkushtimi ndaj njerëzve, të cilët pa kopili` besojnë tek qeveritë, tek demokracia. Po na ha retorika boshe. Njëlloj si në socializëm.

Më hollësisht. A mos vallë mungojnë specialistët e aftë për të bërë studimet serioze që lyp përgatitja e një plani racional për zhvillimin e turizmit në vendin tonë? Jo, specialistët e zotë për këtë punë i kemi e me shumicë, mbase. Por është politika ajo që, me vullnetin e vet të lirë, nuk do të hapë rrugë. Prandaj thërrasim: koha e zhvillimit anarkik ka kaluar, ka ardhur thika në ashtë; o një turizëm i organizuara sipas një plani të detyrueshëm për të gjitha qeveritë ose fikje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›