Alkooli, byzylyk për pijanecët e rinj të Hollivudit
Mendoni ta përballoni verën pa aksesorin e momentit? Si do t’ia bëni të qëndroni në plazh pa byzylykun që vendoset në kavilje, pas të cilit është “çmendur” gjithë Hollivudi? Fiksojini mirë në kujtesë këto pesë fjalë: Secure Continuous Remote Alchool Monitoring, d.m.th. monitorimi i sigurisë dhe në distancë i konsumit të alkoolit, me pak fjalë byzylyku antialkool që ka bërë për vete të rinjtë e këqij të Amerikës. E fundit që e ka vendosur është aktorja Lindsay Lohan. Madje, mund të themi se ajo i është rikthyer kësaj mode, sepse pesë vjet më parë ishte përpjekur ta mbante. Që atëherë, moda nga halli nëse do ta quajmë kështu, ka bërë për vete shumë njerëz të famshëm të të gjitha fushave: sportistë, aktorë dhe këngëtarë, të gjithë me byzylykë në kavilje. Por jo vetëm ata, edhe shumë njerëz të tjerë të thjeshtë: janë rreth 125 mijë personat që nuk lëvizin dot pa aksesorin e tyre të preferuar. Mes tyre edhe Lindsay Lohan, që pak ditë më parë në “Twitter” iu drejtua stilistëve të firmës “Chanel” me fjalët: “A ka diçka me të cilën mund të “maskoj” SCRAM-in tim, që të mund të vesh edhe rroba elegante nëpër mbrëmje?”. Për momentin asnjë përgjigje nga shtëpia e madhe e modës. Por të jeni të sigurt se herët a vonë, aksesorët për të zbukuruar SCRAM-in do të gjenden gjithandej: të bukur dhe shumë shik ashtu si ruajtëset e “Iphone”. Reklama e bërë nga Lindsay Lohan e ka detyruar “New York Times”-in të merret me këtë fenomen dhe gazeta ka kontaktuar me më shumë se 300 përdorues të tij në këtë qytet. Por SCRAM-i gjendet në treg prej shtatë vjetësh. Kompania që e prodhon “Alchol Monitoring System” në Kolorado betohet se kjo makineri, e vetmja e këtij lloji, ka një efikasitet 100 për qind dhe më shumë se 2 mijë gjykata në 48 shtete të Amerikës i japin të drejtë. Kriza ekonomike po e bën gjithmonë e më të kushtueshme hapjen e portave të burgut, ndaj dënimet me byzylykun e famshëm janë shtuar shumë. Tri janë kategoritë kryesore të klientëve: ato si Lindsay Lohan, që janë kapur duke i dhënë makinës në gjendje të dehur; ata fajtorë të abuzimeve dhe dhunës në familje të bëra nën efektin e alkoolit dhe të tretat, ku bëjnë pjesë prindërit që monitorohen nga shërbimet sociale për t’u besuar birësimin e fëmijëve. Përmes SCRAM, në këmbim të byzylykut mund të evitohet burgu. Ky dënim mund të shkojë nga dhjetë ditë në dhjetë vjet (rasti i një burri të dënuar, sepse shtypi një fëmijë teksa ngiste në gjendje të dehur). Lindsay, për shembull, duhet ta mbajë deri më 6 korrik. Më vonë gjykatësi Marsha Revel, që e ka dënuar shumë herë, pasi drejtonte makinën e dehur dhe e droguar, duhet të vendosë nëse mjafton apo jo. Funksioni i tij është i thjeshtë: një lloj tamponi tregon nivelin e alkoolit të pranishëm te djersa e trupit. Kontrolli bëhet automatikisht çdo gjysmë ore dhe çdo ditë të dhënat u dërgohen autoriteteve gjyqësore. Byzylyku në kavilje tregon edhe ku ndodhet personi dhe nëse e respekton apo jo detyrimin e përcaktuar për arrestin e shtëpisë. Natyrisht ka edhe nga ata që kanë tentuar ta heqin nga këmba pa u marrë vesh dhe sekretet mund të gjenden kollaj në internet. Shumë thonë se mes byzylykut dhe kaviljes të vendoset një letër e hollë, ose të futen këmbët në ujë me akull. Por ai u reziston të gjitha këtyre përpjekjeve, ndaj edhe divat në pamundësi për të gjetur shpëtimin e kanë transformuar në modë. Kështu, Lindsay u paraqit me të në këmbë edhe në Festivalin e Kanës. Shpresojmë që “Chanel” të gjejë një zgjidhje për ta bërë sa më fashion. Nga Amerika në Europë, të gjithë të rinjtë e dhënë pas alkoolit e kanë një shpresë për t’i shpëtuar burgut.
Alkooli dhe efektAlkoolizmi njihet si një ndër problemet më të rënda të shëndetit publik. Njerëzit pinë, sepse mendojnë se mund të kalojnë situata të vështira, zhgënjyese, por edhe të këndshme. Alkooli shërben për të mpirë emocionet dhe për të mbajtur një distancë nga ndjenjat, vetëdija. Një person i caktuar nuk e kupton se nga dy-tri gota që pi çdo ditë mund të kthehet në një "vartës" të tij.
Ja si të mos i kalojmë limitet: një dozë e përditshme, (rreth dy gota), e cila nuk duhet tejkaluar në asnjë rast, gjatë një periudhe disamujore. Norma e lejuar parashikon vetëm dy gota dhe pa e tepruar. Vetëm në këtë mënyrë mund të zbuloni nëse e kontrolloni apo jo nevojën e të pirit, apo të kundërtën, nëse alkooli funksionon si rregullator i gjendjeve tuaja emocionale.
Shoqata e Alkoolistëve Anonimë, që është krijuar në vitin 1972, nga eksperienca e grupeve ndihmëse amerikane është e pranishme në të gjithë territorin me rreth 450 grupe. Ajo bazohet në disa rregulla absolute: anonimatin e pjesëmarrësve, përdorimin e një programi të vetëdijshëm dhe evolucionin e bazuar në "teorinë e 12 hapave". Të gjithë përfaqësuesit e shoqatës janë ish të alkoolizuar. Zakonisht, personat takohen një ose dy herë në javë në mbledhje të "hapura", ku mund të marrin pjesë të gjithë njerëzit, pa dallim race, krahine e ideje dhe në mbledhje të "mbyllura" të rezervuara ekskluzivisht vetëm për të alkoolizuarit. Këto mbledhje bëjnë të mundur diskutimin në grup, ku secili prej pjesëmarrësve mund të tregojë vështirësitë që ndien kur nuk është nën varësinë e alkoolit ose të flasë për vështirësitë e jetës së përditshme. Alkoolistët e tjerë kanë jetuar situata të ngjashme dhe mund t‘u shpjegojnë se si ta kapërcejnë këtë situatë, duke u bazuar në një apo më shumë "hapa" të programit të rikuperimit.
Fillimisht duhet të pranoni faktin se jeni një i alkoolizuar e t‘i hapeni dikujt për problemin tuaj (hapi i parë); të reduktoni pijen të paktën një herë në ditë (hapi i dytë dhe i tretë). Grupi e ndihmon të alkoolizuarin të "shkatërrojë grackën" ku e ka futur alkooli, të ketë besim te miqtë e tij të rinj. Edhe vetë grupi mund të shihet nga personi i alkoolizuar si "fuqi superiore" kur ai nuk arrin të gjejë një zgjidhje. Vazhdimisht, përmes një vetanalize dhe përballje me një person të besueshëm, fillon të qartësojë dhe të verifikojë mendimet që ka për veten (hapi i katërt dhe i pestë). Pak nga pak fillon një proces ndryshimi bazuar në modifikimin progresiv të sjelljeve të veta (hapi i gjashtë dhe i shtatë); mundohet të rikuperojë marrëdhëniet me të tjerët (hapi i tetë dhe i nëntë); përgatitet të vërë në praktikë stilin e ri të jetës (hapi i dhjetë); thellohet procesi shpirtëror me meditimin dhe lutjen, duke i ushqyer vetes një ndjenjë se i përket kësaj bote (hapi i njëmbëdhjetë) dhe në fund fillon të përhapë mesazhin te të alkoolizuarit e tjerë (hapi i dymbëdhjetë). Edhe pse ekziston një lidhje e ngushtë mes biologjisë dhe psikologjisë, i alkoolizuari, cilido që të jetë profili i tij gjenetik, mund të gjejë një mënyrë përmes terapisë farmakologjike, psikologjike, për t‘u rilidhur me jetën.
#