E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, 2500 maturantë në provimin e letërsisë

Pjesa më e madhe e maturantëve, nga shkollat private

Mbi 2500 maturantë të rrethit të Fierit i janë nënshtruar dje provimit të parë të pjekurisë, atij të letërsisë. Numrin më të madh të maturantëve e kanë zënë ata që vinin nga shkollat jopublike të qytetit. Procesi ka nisur dhe është zhvilluar pa probleme. Baza materiale e nisur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave ishte shpërndarë qysh një ditë më parë nëpër 23 shkollat e piketuara për zhvillimin e provimit të parë të Maturës Shtetërore. Sipas drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale Arsimore në Fier, Suzana Numani, procesi është ndjekur nga 205 trupa administratorësh. “Trajnimi i tyre është bërë më parë, ndërkohë që udhëzimet janë bërë të ditura jo vetëm për administratorët, por edhe për vetë maturantët. Besoj në një proces normal të kësaj pikënisje të Maturës Shtetërore”, ka thënë për gazetën “Shqip” Numani. Paraditen e së martës në Fier janë dërguar për inspektime dy përfaqësues të lartë të MASH-it, të cilët kanë ndjekur nga afër procesin e provimit në të 23 vendet e zhvillimit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›