E Shtunë, 31 Tetor 2026

EAGLE MOBILE SJELL KATËR PARQE LOJËRASH SI DHURATË PËR FËMIJËT E TIRANËS NË FESTËN E TYRE

Breaking views

Në këtë 1 Qershor, “Eagle Mobile” sjell dhuratën më të bukur për fëmijët kryeqytetit. Katër parqe lojërash janë ndërtuar në katër lagje të ndryshme të Tiranës, për t’i bërë fëmijët të përjetojnë çaste mjaft të bukura dhe argëtuese.

“Eagle Mobile”, këtë vit, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë mjedisit, duke e quajtur vitin 2010 “Viti i Mjedisit”. Por krahas kësaj, kompania ka menduar edhe për mjedisin e fëmijëve, ku ata do të argëtohen në hapësira publike. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, kompania rinore “Eagle Mobile” ka mundësuar pajisjet më bashkëkohore për parqet publike, ku bëjnë pjesë lodra të ndryshme.

Me rastin e festës së fëmijëve është përuruar “Parku Eagle” pranë Presidencës nga Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, z. Ali Taskin dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Edi Rama. Në ceremoninë e përurimit kanë qenë të pranishëm edhe drejtues të “Eagle Mobile”, së bashku me më se 100 fëmijë nga kopshte të ndryshme të kryeqytetit, të cilët e kanë festuar Ditën e tyre me muzikë, lojëra, dhurata dhe surpriza të ndryshme të organizuara nga “Eagle Mobile”.

Drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, z. Ali Taskin, duke u uruar të gjithë fëmijëve festën, tha se ky nuk është parku i vetëm që inaugurohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranë. Janë 4 parqe të ndërtuara në zona të ndryshme të Tiranës. “Eagle Mobile” e ka shpallur këtë vit “Vitin e mjedisit” dhe krahas projekteve në Tiranë kemi ndërmarrë aksione për pastrimin e qyteteve të ndryshme. Projekti i madh do të vazhdojë pas dy ditësh në Kamzë dhe më pas në Pogradec. Ne do të vazhdojmë të mbështetim autoritetet qendrore dhe vendore në mbrojtje të mjedisit shqiptar dhe jemi të lumtur që punojmë dhe do të punojmë në këtë drejtim.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Rama, në fjalën e tij tha se parqe të tilla lojërash si ky, do të ndërtohen edhe në hapësira të tjera publike, jo vetëm në qendër, por edhe në periferi për komunitetin e kryeqytetit, në mënyrë që fëmijët së bashku me prindërit e tyre, të kenë mundësi të kalojnë së bashku orë të lira dhe t’i kenë të gjitha mundësitë për t’u shoqërizuar në mënyrë sa më cilësorë.

Katër parqet “Eagle”, të cilat janë dhuruar për fëmijët nëpërmjet Bashkisë së Tiranës, ndodhen në rrugën “Lord Bajron” në Laprakë, në rrugën “Mine Peza” - Blloku “7 Marsi”, në lulishten përballë Maternitetit të Ri dhe lulishten përballë Presidencës.

Kjo nuk është hera e parë që “Eagle Mobile” kontribuon për fëmijët. Kompania në vitin 2009 u përqendrua në ndihmën e fëmijëve jetimë, ku në projektin e saj njëvjeçar ftoi edhe 25 kompani të tjera që të kontribuonin për këtë pjesë mjaft delikate të shoqërisë.

Kompania e shpalli vitin 2010 “Viti i Mjedisit” dhe gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë projekte të ndryshme, si mbjellja e pishave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nisma sensibilizuese etj. Ndërkohë, muaji Maj është shpallur “Muaji i Pastrimit të Mjedisit” ku deri tani, në bashkëpunim me Ministritë e Arsimit dhe Mjedisit janë zhvilluar fushata pastrimi për mjedisin me nxënës të shkollave të mesme në 5 qytete të vendit (Durrës, Lezhë, Vlorë, Tiranë dhe Kukës).

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›