E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trupi ynë dhe ndihma e organeve të shëmtuar

Javën e kaluar, për ata që konsiderohen se kanë një hundë pak më të madhe se përmasat normale të këtij organi, doli një lajm i mirë: shkencëtarët, pas disa studimeve dhe sondazheve, dolën në përfundimin se ata që kanë një hundë të madhe kanë edhe një mbrojtje më të madhe ndaj të ftohtit dhe viruseve të ndryshme të gripit. Por kjo nuk vlen vetëm për hundën. Ja se si përmasat, apo format e disa organeve tona kanë te ne një ndikim shumë më të madh nga sa mendojmë

Të ndenjurat e mëdha

Ata që i kanë të përmasave më të mëdha se të zakonshmet mund të ndihen me fat që i ngjajnë më shumë J. Lo se sa Kylie Minogue. Për sa u përket të ndenjurave është më mirë që shëndeti të përqendrohet tek ajo pjesë e trupit se sa të themi në bark. Studimet tregojnë se pasja e të ndenjurave të mëdha nuk është aq e rrezikshme sa barku i madh për sa i përket nivelit të kolesterolit në gjak, madje kjo rrit edhe nivelin e kolesterolit pozitiv, që i ndihmon shumë arteriet e gjakut për qarkullimin e tij. Ato reduktojnë edhe rrezikun e diabetit, kjo sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit. Teoria mbështet edhe teorinë që ata të cilët kanë një trup në formë dardhe, pra që e kanë shëndetin të grumbulluar te të ndenjurat, kanë një organizëm më të shëndetshëm. Kjo, sepse ky lloj depozitimi nuk është aq i dëmshëm në këtë pjesë të trupit sa çdo të ishte sikur dhjami të grumbullohej rreth veshkave, mëlçisë apo organeve të tjera të pjesës së barkut. Të ndenjurat e mëdha mund të ndikojnë edhe në prodhimin më të madh të hormoneve që ndihmojnë në rregullimin e oreksit dhe të peshës. Mjekët dhe studiuesit thonë se vendi ku akumulohet yndyra është shumë i rëndësishëm për vetë organizmin, sepse në vende të caktuara mund të shërbejë si mburojë, ndërsa në vende të tjera mund të jetë shumë i dëmshëm. Ndaj një këshillë nuk do të ishte kurrë e tepërt për ata që duan të jenë të shëndetshëm: vithet e shëndetshme në trup të shëndetshëm.

Pa ije

Sipas një studimi të fundit, mundësia për kancerin e gjirit është më e madhe tek ato femra, mamatë e të cilave kanë pasur ije të gjera. Studimi i publikuar në “Journal of Human Biology” sugjeron se për këtë faji është i hormoneve të estrogjenit. Kështu besohet se estrogjeni mund të rrisë rrezikun për kancerin e gjirit kur lëshohet në organizëm në mënyrë të tepruar dhe disa gra janë shumë të ndjeshme ndaj sasisë së madhe të këtij hormoni në trupin e tyre dhe trupi mund të reagojë duke formuar qeliza kanceroze me hormonet e tepërta. Në ije ka sasi të mëdha të estrogjenit. Sipas teorisë së studiuesve të fundit, embrioni që ndodhet në barkun e një gruaje me ije të gjera, pra që zhvillohet në një sasi më të madhe se zakonisht të hormoneve të estrogjenit, duke qenë i ekspozuar ndaj tyre ka më shumë mundësi të ketë rrezikun e kancerit. Kjo, pasi gjaku i nënës transmeton në gjakun e vajzës të gjitha përbërësit e tij të dëmshëm dhe të padëmshëm.

Nishanet

Edhe pse mund të konsiderohen si pika të forta të bukurisë dhe shërbimit femëror, shumë nishane nuk shihen me sy të mirë nga mjekët. Për më tepër, nëse një person ka shumë prej tyre në lëkurën e tij ka njëherazi edhe një rrezik më të madh se të tjerët për të pasur kancerin e lëkurës. Megjithatë, së fundi shkencëtarët kanë lajme të mira edhe për këta individë. Sipas tyre, njerëzit me më shumë nishane kanë një organizëm biologjikisht më të ri se ata pa nishane dhe kanë një pamje që i tregon më të ri në moshë edhe kur janë në një moshë të madhe. Dhe jo vetëm kaq, por kanë edhe një shkallë më të vogël të shfaqjes së sëmundjeve të pleqërisë, si sëmundjet e zemrës apo të diabetit e osteoporozës. Kjo, për shkak të ekzistencës së një hormoni me emrin telomere, që shërben për të mbajtur organizmin në gjendje të re. çuditërisht ky hormon prodhohet në sasi më të madhe te njerëzit që kanë nishane në krahasim me ata që kanë një fytyrë të pastër dhe pa to. Sipas një studimi, njerëzit që kanë mbi 100 nishane në trupin e tyre kanë më shumë shanse për t’u dukur të rinj krahasuar me personat që nuk kanë nishane, apo kanë një numër të vogël syresh. Pyetja është se përse ky lloj hormoni është i lidhur me nishanet? Përgjigjja qëndron se ai është i lidhur me pigmentet e trupit të njeriut dhe nishanet janë veç të tjerash edhe një grumbullim dhe përqendrim i pigmenteve. Si përfundim, studimi tregon me saktësi se njerëzit me nishane, pra me një nivel të rritur të melanomës, edhe pse mund të përballen me disa rreziqe si mundësia e kancerit, kanë benefitin e pasjes një pamje të re dhe të freskët, edhe në një moshë të avancuar ndryshe nga sa ndodh me njerëzit që nuk kanë nishane.

Gjoksi i vogël

Ju kujtohet kur ishit të vogla dhe ëndërronit që të kishit një gjoks të madh, në mënyrë që t’i binit në sy djaloshit që simpatizonit? Por së fundi, për ato që nuk e patën kurrë fatin të kenë një gjoks të madh, ka një lajm të mirë. Të paktën, deri në njëfarë niveli, ato janë të përjashtuara nga pasja e dhimbjes së shpinës. Gjoksi i madh mund të të shkaktojë dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, pasi ai shkakton një harkim të kurrizit dhe kjo si pasojë jep dhimbje dhe probleme në një moshë më të madhe. Sipas një studimi amerikan, para se të fillonin operacionet e zvogëlimit të përmasave të gjoksit, vite më parë shumë gra që kishin një gjoks më të madh se normalja kishin njëherazi edhe probleme me shpinën, dhimbje e shqetësime të tjera. Dhe ajo çka është interesante, pas operacionit të zvogëlimit të përmasës së gjoksit një pjesë prej tyre pati përmirësime të ndjeshme për sa i përket dhimbjes së spinës. Gjoksi i vogël ka edhe një avantazh tjetër. Ai është shumë më i ndjeshëm se gjoksi i madh. Në një studim të kryer në një universitet të Vjenës, shkencëtarët zbuluan se gjoksi i madh ishte 24% më i pandjeshëm se gjoksi i vogël. Teoria, pas këtij studimi, ka të bëjë me nervin që transmeton ndjesitë nga kokrra e gjoksit në tru. Sa më e shkurtër të jetë kjo vijë, aq më shpejt transmetohet sinjali dhe kënaqësia është më e madhe e bashkë me të edhe ndjeshmëria.

Hunda e madhe

Në dukje del se hunda e madhe është një barrierë natyrore ndaj gjithë faktorëve të dëmshëm të ambientit, duke filluar me pluhurin, bakteret, që përmes rrugëve të frymëmarrjes shkojnë në thellësitë e organizmit tonë. Shkencëtarët kanë zbuluar se hunda e madhe bëhet vërtet barrierë e faktorëve të rrezikshëm e ndotës në krahasim me hundën e vogël dhe shërben gjithashtu edhe si barrierë e baktereve. Kërkuesit në Universitetin e Iovas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijuan në laborator dy hundë artificiale, njëra me përmasa normale dhe tjetra me përmasa 2.3 herë më të madhe se normalja. Secila u vendos në një kokë artificiale dhe u nxor në një mjedis të ndotur e të ngopur me mikrobe e pluhur. Rezultati i eksperimentit tregoi se hunda më e madhe ishte një barrierë më e mirë se hunda tjetër për sa i përket filtrimit të të gjithë faktorëve të jashtëm të dëmshëm. Ajo gjithashtu ishte edhe një mbrojtëse më e mirë për gojën dhe gjithë funksionet e frymëmarrjes të kryera prej saj.

Veshët e mëdhenj

Për ata që janë mësuar që në fëmijëri me shakatë e të tjerëve në adresë të veshëve të tyre, lajmi se veshët e mëdhenj janë të dobishëm me siguri që është një lajm në mos i shumëpritur të paktën deri diku ngushëllues. Lajmi ka të bëjë me atë që veshët e mëdhenj ndihmojnë në ngadalësimin e humbjes së dëgjimit te njeriu me kalimin e moshës dhe ndërkohë na ndihmojnë që ta marrim tingullin e jashtëm në mënyrë shumë më efikase. Sipas një studimi, pjesa e jashtme e veshit tonë ka një rol shumë të rëndësishëm në mbledhjen dhe lokalizimin e tingullit të jashtëm. Kjo është më se e qartë nëse ne do të vendosnim duart në formë kaushi rreth veshit dhe do të shihnim se sa shumë na ndihmon kjo për të kryer funksionet e sipërpërmendura. Pra, sa më i madh të jetë veshi, aq më e mirë është edhe cilësia e tingullit të tij.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›