Flota e pacifistëve: militantë, diplomatë e shkrimtarë
Aventurën e tyre e nisën 2 vite të shkuara. Atëherë ishin vetëm 80 persona, ndërsa tani plot 800. Ishin një grup pacifistësh thuajse të gjithë perëndimorë të Free Gaza Movement, të cilët ndërkohë shoqëroheshin edhe nga përfaqësues të medias. Në Gaza ia kishin dalë që të zbarkonin disa pa pësuar asnjë humbje, apo trazim, por gjithçka ndryshoi me sulmin që izraelitët bënë në Gaza në fund të vitit 2008 dhe në fillim të 2009-s. Pas kësaj periudhe të vështirë u përfshinë edhe shoqata dhe organizata të tjera në betejën për ndryshimin e situatës në Gaza, të tilla si “Fushata europiane për t’i dhënë fund rrethimit të Gazës”, “Anijet drejt Gazës”, “Komiteti ndërkombëtar për heqjen e rrethimit të Gazës”, një organizatë islamike malajziane, apo edhe turkja “Insani Yardim Vakfi”, shumë pranë qeverisë së Ankarasë, por e jashtëligjshme në Izrael, për shkak të akuzave se merr financime nga Hamasi dhe ka lidhje me terroristët ekstremistë islamikë. Pionierët e lëvizjes për lirinë e Gazës ishin të bindur se sa më shumë organizata t’i bashkoheshin grupit të tyre aq më lehtësisht dhe shpejt do të arrihej qëllimi dhe aq më lehtë do të kalonin ndihmat në Gaza. Dërgesën e vitit 2010 kishte muaj që po e përgatisnin. Ishin gjithsej 8 anije dhe një mijë ton materiale të ndryshme. Në bordin e anijeve që kishin për qëllim të çanin rrethimin për të ndihmuar banorët e Gazës ndodheshin njerëz të kombësive të ndryshme. Mes tyre kishte edhe hebrenj, si Hedi Epstein, e mbijetuara e Holokaustit. Ajo dhe familja e saj që ka pësuar shumë humbje në kampin e përqendrimit nazist në Aushviç ka një jetë të tërë që merret me çështjen palestineze dhe të drejtat e tyre. Kishte edhe gazetarë, kryesisht nga “Al Jazeera” e BBC dhe madje ishte edhe një i dërguar i grupit të famshëm “Rolling Stone”. Por kryesisht në të gjitha dërgatat e ndihmave, që në fillim të lëvizjes për lirimin e Gazës ka pasur me shumicë gazetarë. Madje një në dy veta ishin gazetarë. Deri më tani izraelitët i kontrollonin mirë të gjitha anijet dhe pas kësaj i linin që të zbarkonin në Gaza me gjithë ushqimet dhe ilaçet që mbartnin në bord. Kur anijet largoheshin merrnin me vete për kurim edhe ata që mund të konsideroheshin të pashpresë me kushtet e Gazës dhe që mund të gjenin shpëtim diku gjetkë në Perëndim. Fillimisht hipnin të sëmurët rëndë, e më pas edhe ndonjë fëmijë nevojtar e shëndetlig. Por kishte edhe nga ata studentë palestinezë që linin vendin, pasi kishin fituar bursa studimi jashtë shtetit dhe më në fund mund të realizonin ëndrrën e tyre për të studiuar në universitetet e zgjedhura. Bëhet fjalë për situatën në vitin 2008. Në nëntor të atij viti dy anije të tjera, të organizatave paqësore të ndihmave, ndërmarrin një tjetër udhëtim drejt brigjeve të izoluara për të sjellë pak shpresë dhe bashkë me të ushqime, mjekime dhe ndihma të tjera. Edhe këto dy anije arrijnë që të kryejnë misionin fisnik e humanitar. Por këto ishin anijet e fundit që mundën të kalonin të qeta, sepse siç dihet, në fund të vitit 2008 hebrenjtë sulmojnë Gazën. Ishte një luftë që zgjati edhe javët e para të vitit 2009 dhe që shkaktoi qindra të vdekur civilë. Megjithatë Flota e Lirisë tenton sërish që të kryejë funksionin e saj edhe kur lufta ishte në kulmin e saj, por këtë herë situata bëhet e pamundur. Izraelitët dëmtojnë njërën nga anijet e ndihmave që ndodhej për riparim në një port libanez, duke e vonuar nisjen dhe si pasojë mbërritjen e tyre në brigjet e Gazës. Që nga ky moment çdo lloj tentative për t’iu afruar brigjeve të Gazës bllokohet dhe ndalohet me të gjitha mënyrat e mundshme. Prekja e tokës së Gazës është tashmë një mision i pamundur. Megjithatë kjo nuk do të thotë se organizatat e të drejtave të njeriut u dorëzuan, apo u tërhoqën nga objektivi i tyre. Ata ndërkohë po mendonin për diçka, më të madhe, më të organizuar dhe më të fuqishme, që do të ishte e denjë dhe do të kishte fuqinë e duhur për të çarë bllokadën e vendosur brigjeve të Gazës që pas luftës. Tashmë gjithçka ishte organizuar me përmasa shumë më të mëdha. Flota e vogël ishte shndërruar në një flotë më të madhe me 8 anije. Në bordin e tyre ndodheshin 750 persona, nga 40 me kombësi të ndryshme dhe në hambarët e anijeve kishte ngarkesa me ushqime, ilaçe, libra, lodra e gjithçka të dobishme për një jetë normale të një popullsie që jeton në kushte aspak normale. Por duket se as këtë herë hebrenjtë nuk kanë dashur që anijet të mbërrijnë në Gaza dhe të zbarkojnë mallrat për të cilat ka aq shumë nevojë popullsia. Në bordin e anijeve ndodhen 35 politikanë dhe njerëz të tjerë të artit, biznesit, të gjithë vullnetarë të shoqatave dhe organizatave të ndihmave humanitare. Pas sulmit të dy ditëve më parë të anijes, në bordin ku ndodheshin 546 veta dhe në të gjithë flotiljen, shpirti i sakrificës vazhdon që të mbizotërojë dhe sipas zëdhënësit të saj misioni do të vazhdojë përpara.
#