Allajbeu i “Amerikanit” tërhiqet nga kërkesa në adresë të SPAK

SPAK shqyrtoi ditën e djeshme kërkesën e “Evita”, kompani në pronësi të oligarkut Klodian Allajbeu, CEO i “Spitalit Amerikan”, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë dhe disa kompanive të tjera që kundërshtonin kontrollet e SPAK dhe këmbëngulin në kthimin e sendeve të sekuestruara.
Vetë Allajbeu kishte kundërshtuar sekuestrimin e telefonit të tij, por u tërhoq nga ankimi.
Ndërkohë, gjykata rrëzoi kërkesat e Emirjana Erden, shoqërisë “American Hospital” Sh.a, Onejda Ymeraj, Osvelda Qafa, Arber Teqja dhe “Evita” sh.p.k, duke mos pranuar pretendimet për pavlefshmëri të kontrolleve.
Ndërkohë, për disa kompani të tjera, përfshirë “Pharma One” dhe “Equos Resort”, seancat janë shtyrë.
Hetimet po kryhet me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, nën drejtimin e prokurores Dorina Bejko në lidhje me koncesionet në fushën e shëndetësisë.
Allajbeu është nën sitën edhe të organeve të drejtësisë në Kosovë.
Ekrem Lluka, pronar i “Qendrës Kardiake të Kosovës” Korab Lluka, Klodian Allajbeu (pronar edhe i “American Hospital Kosova”), Igli Larashi dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj akuzohen se kanë pastruar para përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të dokumenteve false në Administratën Tatimore të Kosovës.
Gjithë këto veprime, pesë të akuzuarit ngarkohen se i kanë bërë kur e kanë kuptuar se po hetohen nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Prokuroria Speciale.
Portali i Kosovës “Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila jep detaje se si këta pesë persona kishin prezantuar fatura dhe dokumente me subjekte që nuk ishin të regjistruara me qëllim që të legjitimonin transaksionet bankare dhe të përfitonin mbi 3 milionë euro.