Alma Bektashi, tashmë autore libri
Nga skena, në auditorin e universitetit. E tashmë, pas eksperiencës së saj, edhe autore e një libri profesional. Bëhet fjalë për këngëtaren me zërin e fuqishëm Alma Bektashi, e cila u mënjanua nga skena muzikore për t’iu përkushtuar mësimdhënies në Universitetin e Prishtinës. Edhe pse në fakt ajo është shfaqur në evente të ndryshme artistike, nuk e ka zhvilluar dhe aq karrierën muzikore. Përpos pedagogjisë, edhe familja ka zënë një vend të madh në jetën e saj. Ndërkaq, ajo ka arritur të botojë dhe publikojë librin e saj “Aktori dhe zëri-Elementë të teknikës vokale”, një libër profesional, që do t’u shërbejë mësë shumti studentëve të saj. Vetë këngëtarja, në një komunikim në rrjetin social facebook, ka pohuar se “Më në fund ëndrra ime u bë realitet! I falenderoj të gjithë ata që më mbështetën dhe më ndihmuan pa u kursyer, që libri im të botohet!” Kaq ka mjaftuar që urimet të mbushnin faqen e saj dhe komentues të ndryshëm, miq dhe fansa të artistes, kanë vlerësuar iniciativën e saj të re për të cilën e përgëzojmë edhe ne!