E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet padia e re e PS-së në Kolegj për Tiranën

SHKRUAN: Fejzi Braushi 06-06-2011 12:56

Shanset e socialistëve për të vijuar me sukses betejën ligjore për garën e Tiranës janë të pakta. Kjo, pasi vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar kërkesën për pavlefshmëri absolute të vendimit 709, pra të aktit me anë të cilit u administruan dhe u numëruan votat e gjendura në kutitë e gabuara, me anë të të cilit kandidati demokrat Lulëzim Basha doli fitues me 81 vota më shumë, ka lënë pa argument të qenësishëm çdo përpjekje tjetër ligjore që PS-ja mund të ndërmarrë në ditët në vijim. Pavarësisht kësaj, selia rozë nuk i ka humbur shpresat dhe ka vendosur që para se të kalojë në veprime të tjera me karakter politik, të ezaurojë çdo hapësirë ligjore për të ballafaquar pretendimet e saj përsa i përket rezultatit final për Bashkinë e Tiranës, fillimisht në Kolegj Zgjedhor dhe pse jo më pas dhe në organe apo gjykata ndërkombëtare, siç mund të jetë edhe Komisioni i Venecias.

Socialistët

PS-ja është në pritje të zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor, për të parë argumentet e përdorura prej tij në vendimmarrjen për rrëzimin e kërkesës për vendimin 709, për të përcaktuar më pas dhe elementet dhe arsyetimet që do të vendosë të përfshijë në kërkesën e re ankimore që do të bëjë për goditjen e vendimit të KQZ-së për miratimin e tabelës përmbledhëse të njësisë vendore Bashkia Tiranë. Pritje që nuk mund të zgjasë më shumë se dita e sotme, pasi brenda ditës së martë PS-ja duhet për të kapë afatet ligjore për të paraqitur në Kolegj çdo pretendim të sajin zyrtar për vendimmarrjet përkatëse të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kështu, burime pranë PS-së kanë bërë të ditur se, ndërsa pritet zbardhja e vendimit të KQZ-së, një grup juristësh, si Damian Gjiknuri, Eno Bushi, Eridian Salianji dhe të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, po punojnë në mënyrë të pavarur për hartimin e kërkesëpadisë së re, e cila do të jetë dhe e fundit për këtë shkallë gjykimi. Megjithatë, siç mësohet, baza e kërkesës për shkak edhe të detyrimeve ligjore, do të jetë e ngjashme me dy kërkesat që kjo forcë politike paraqiti në KQZ dhe me anë të të cilave goditeshin vendimet 710 dhe 711, nëpërmjet të cilave miratoheshin tabelat e rezultateve të njësisë 5 dhe më pas tabela përmbledhëse e gjithë Tiranës. Ndaj, ashtu siç edhe kërkoi në KQZ dhe në Kolegj, PS do të kërkojë sërish “pavlefshmërinë e vendimeve të KQZ-së për të urdhëruar ndryshimin e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit të njëmbëdhjetë KZAZ-ve të Tiranës, ndryshimin e vendimit 711 të KQZ-së, duke miratuar rezultatin e tabelave përmbledhëse të zonës zgjedhore Bashkia Tiranë, në bazë të tabelave të nxjerra nga grupet e numërimit deri më 16.05.2011, duke u shpallur fitues Edi Rama i Aleancës për të Ardhmen”. Por jo vetëm kaq, pasi në këtë kërkesë të njëjtat burime, duke u bazuar edhe tek arsyetimi që do të japë Kolegji për vendimin 709, do të tentojë të fusë në kërkesën e re dhe elemente që kanë të bëjnë me pavlefshmërinë e votës së gjetur në kutitë e gabuar. Gjithashtu, në këtë kërkesë të njëjtat burime bëjnë të ditur se do të përfshihet, si pikë e veçantë, dhe pretendimi për mosrakordimin e shifrave në tabelën e rezultatit, pra të numrit të votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe numrit të votave të gjendura në kuti.

Demokratët

Po ndërsa socialistët vazhdojnë të besojnë se beteja ligjore për Tiranën nuk ka mbaruar, demokratët janë të sigurt për këtë gjë. Jo vetëm për shkak se ata kanë nisur prej së premtes së shkuar festimet, por edhe sepse besojnë se tashmë hapësirat ligjore për të kthyer rezultatin janë minimizuar në maksimum për socialistët. Të kontaktuar dje nga MAPO, juristë të PD-së kanë bërë të ditur se socialistët mund të godasin tashmë në Kolegj Zgjedhor vetëm tabelën përfundimtare të rezultatit të Tiranës dhe tabelën e njësisë numër 5. Edhe për këto dy tabela, ata bëjnë të ditur se PS-ja nuk mund të ketë më pretendime për rezultatin e dalë nga numërimi i votave të gabuara, pasi kjo përbën tashmë një çështje të gjykuar një herë dhe për të cilën Kolegji është shprehur me vendim të formës së prerë. Gjithashtu, ata përjashtojnë mundësitë ligjore që PS të ngrejë pretendime në kërkesën e vet edhe për sa i përket papërputhshmërisë së shifrave. Kjo për një arsye të thjeshtë, sepse një çështje e tillë duhet të goditej më parë në rrugë administrative, pra në KQZ. Për sa kohë çështja e mospërputhjes së shifrave nuk ka qenë përfshirë në kërkesën e PS-së të paraqitur në KQZ për tabelën përmbledhëse të Tiranës, ajo nuk mund të ngrihet tashmë në Kolegj. Të vetmet pretendime, sipas demokratëve, që mund të ngrejë PS-ja përsa i përket papërputhshmërisë së shifrave është thjesht e karakterit matematikor, pra e gabimeve që mund të kenë ardhur për shkaqe teknike në nxjerrjen e tabelave. Një çështje që mund të goditet, sipas tyre, është dhe ajo nëse duhen marrë parasysh nga Kolegji për t’u përfshirë në tabelën përfundimtare rezultati i dalë nga numërimi votave të kontestuara dhe që reduktojë diferencën e Bashës kundrejt Ramës nga 81 vota në 78. Gjithashtu, të njëjtat burime nga PD sqarojnë se vendimi i Kolegjit për të rrëzuar ankesën e PS-së për vendimin 709, rrëzon çdo pretendim për pavlefshmërinë e procesit të numërimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara dhe nuk është një vendim që thjesht ka rrëzuar procedurën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›