Alo xhaxhi, babi qëlloi me thikë mamin pasi u zunë
Thika gruas
Vëllai i autorit, Gazmendi: Vrasja, një konflikt në dhomën e gjumit. Klevisi 9-vjeçar, djali i madh i Arbenit dhe Manjolës, lajmëroi xhaxhain dhe tezen për vrasjen
Sokol Çobo
Gazmend Koxhaj, vëllai i autorit të vrasjes, ka treguar se vrasja e kunatës ka ardhur si pasojë e një sherri në dhomën e gjumit, një konflikt që ndodh çdo ditë. Në një prononcim për gazetën Shqip, ai tregon momentin kur ka mësuar për ngjarjen në banesën e të vëllait, e cila ishte e njëjta banesë ku jeton edhe vetë, së bashku me prindërit.
Shtëpia dykatëshe e familjes Koxhaj ndodhet në periferi të Tiranës, afër Kombinatit, dhe jo shumë larg rrugës kryesore. Banesa duket e mirëmbajtur. Porta e avllisë është e mbyllur, ndërsa dera e shtëpisë është e hapur për ngushëllime, megjithëse trupi i pajetë i Manjolës është marrë nga familjarët e saj, që do ta bëjnë varrimin në Poliçan. Në banesë ndodhen vetëm njerëzit më të afërm të Arbenit, babai, nëna, vëllai dhe disa persona të tjerë.
Ndërkohë, dy djemtë e çiftit, Klevisi dhe Enriku, 9 dhe 5 vjeç, tashmë do të jetojnë me gjyshërit nga babai, ndërsa cilësohen si dëshmitarët okularë të këtij krimi në familje. Ata kanë parë të gjithë skenën e krimit, pasi kanë qenë në banesë. Xhaxhai i tyre pohon se 9-vjeçari e ka marrë në telefon dhe i ka treguar se çfarë kishte ndodhur në banesë. Më tha: Alo xhaxhi, babi qëlloi me thikë mamin pasi u zunë. I mituri ka marrë në telefon edhe tezen e tij, duke i treguar për ngjarjen. Në një intervistë të shkurtër për gazetën, Gazmendi pohon se shkaku i vrasjes janë vetëm konfliktet e çiftit në dhomën e gjumit, pra problemet e një dite të zakonshme.
Si e morët vesh ngjarjen?
Isha në punë dhe më mori Klevisi, nipi në telefon. Ai është vetëm 9 vjeç dhe më tregoi se mami i tij, kunata ime, Manjola, ishte mbuluar me gjak.
Çfarë bëtë më pas?
Shkova me shpejtësi në banesë dhe takova vetëm disa familjarë, pasi Arbeni kishte transportuar në spital Manjolën. Shkova në spital dhe u interesova për gjendjen.
Kishin ndonjë konflikt çifti me njëri-tjetrin?
Konflikte të zakonshme, si çdo çift, për gjera thelbësore të jetës, për ushqimin, veshjen etj. Konflikt i dhomës së gjumit.
Gazmendi
Për ngjarjen më lajmëroi nipi 9-vjeçar në telefon dhe më tha se babi ka qëlluar me thikë mamin
Intervista
Autori pinte alkool pas vetëvrasjes para 5 viteve të një vëllai
Fqinjët: Arbeni është i keqi i familjes dhe i miri i shoqërisë
Një fqinje e familjes Koxhaj rrëfen se çifti kishte pasur mosmarrëveshje kohët e fundit, për shkak të papunësisë së Arbenit. Viktima, Manjola, punonte shitëse në një dyqan sallamerie dhe konsiderohej nga fqinjët si punëtore dhe shumë e urtë. Madje konfliktet me të shoqin nuk i ka çuar jashtë mureve të shtëpisë. Banorët e zonës tregojnë se autori i ngjarjes kishte filluar të konsumonte alkool pas vetëvrasjes së një vëllai, para 5 viteve, përvjetor që është kujtuar disa ditë para se të therte me thikë bashkëshorten.
Ku ishit ku ndodhi ngjarja?
Kam qenë në oborrin e shtëpisë së bashku me vajzën dhe dhëndrin. Po shkarkonim disa sende nga një makinë, kur vajza dëgjoi disa zëra dhe u drejtua nga familja Koxhaj. Kishte parë që Manjola ishte e mbuluar me gjak dhe në duart e të shoqit, Arbenit, që e kishte marrë në krah. Ai po e çonte drejt automjetit për ta çuar në spital. Vajza dëgjoi fjalët e Arbenit që thoshte se do të vras veten. Megjithatë, kishte parë Manjolën që rënkonte dhe ishte në grahmat e fundit të jetës. Më pas u largua me shpejtësi me makinë, së bashku me Manjolën. Ne shkuam në banesë dhe pamë që shtëpia ishte e mbuluar me gjak. Më pas mësova se djali i madh i çiftit, në klasën e tretë, kishte marrë në telefon xhaxhain dhe i ka treguar për ngjarjen në banesë. Djali kishte marrë në telefon edhe tezen. Të gjithë familjarët janë drejtuar më pas në Spitalin Ushtarak. Edhe ne si fqinjët e tyre kemi shkuar në spital dhe na thanë se duhet të jepnim gjak, se ndoshta shpëton. Edhe unë kam dhënë gjak, se kam grupin e gjakut të mirë, ashtu si motrat e Manjolës dhe kunata e saj. Por nuk ia doli dot.
Kishte ndonjë konflikt çifti?
Manjola nuk na ka treguar asnjë gjë. Ajo ishte shumë punëtore dhe e urtë. Nuk i kalonte konfliktet në familje jashtë dyerve të shtëpisë. Megjithatë, mesa kam kuptuar, konfliktet në atë çift kishin ardhur për shkak të papunësisë së Arbenit. Ai kishte filluar të pinte kohët e fundit, madje edhe dje (pardje) kishte pirë dhe ndoshta kjo ka shkaktuar edhe sherrin. Manjola ishte e vetmja që punonte. Ajo ishte e punësuar si shitëse në një dyqan sallamerie dhe merrte një pagë rreth 180 mijë lekë. I jepte të shoqit lekët për duhan dhe për të pirë, ndërsa kishte dy fëmijë, i madhi 9 vjeç dhe i dyti 5 vjeç.
Po Arbeni si sillej në familje apo në shoqëri?
Është i keqi i familjes, por marrëdhënia jonë me të ka qenë shumë e mirë. Edhe kur na merrte gjysmë kile raki na i sillte lekët, nuk i zgjaste më shumë se dy-tri ditë. Problemet e tij, mesa kam dëgjuar, kanë filluar në kohën që i është vetëvrarë një vëlla në vitin 2007. Ishte hedhur nga kati i nëntë i një pallati në zonën e Don Boskos dhe nga ai moment Arbeni kishte pasur disa çrregullime mendore. Vrasja e Manjolës ka ndodhur pikërisht në pesëvjetorin e vetëvrasjes së vëllait të Arbenit, që ndoshta ka ndikuar edhe në gjendjen mendore të tij.
Kush banonte tjetër në shtëpinë ku ndodhi ngjarja?
Në katin e parë jeton edhe vëllai i Arbenit, një djalë shumë punëtor, që është bërë baba i dytë për dy djemtë e tij. Ai ka ndihmuar me sa të mundet familjen e Arbenit dhe është kujdesur për dy djemtë. Në katin e dytë banojnë prindërit e Arbenit.
Për funeralin ju kanë lajmëruar?
Varrimi do të bëhet nesër (sot) në Poliçan, ku banojnë të afërmit e Manjolës. Në spital mësuam se familjarët e saj e kanë tërhequr trupin dhe do të kryejnë ritet në Poliçan. Nuk kanë ardhur ende në familjen Koxhaj. Akoma më rrëqethet mishi kur mendoj se çfarë ndodhi dhe çfarë na u desh të shikonim. Janë ngjarje të rënda. s.çobo
Alo xhaxhi, babi qëlloi me thikë mamin pasi u zunë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip