14-vjeçarja u qëllua teksa po vraponte
Shkodër
Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në Komunën Temal të Shkodrës, ku shtetasi Mirash Bregu, 45 vjeç, i dënuar dy herë më parë për vrasje, ka vrarë me armë zjarri vajzën e tij Marjana Bregu, 14 vjeçe, e më pas ka vrarë edhe veten. Sipas hetimeve, rezulton se Mirash Bregu, pasi ka kryer këtë vrasje, të ketë njoftuar vëllain e tij: Kam vrarë vajzën, tash po vras edhe veten. Edhe pse nuk është saktësuar, mësohet se konflikti ka nisur pas një debati për kullotjen e bagëtive. Vajza nuk ka pranuar ti kullosë ato dhe në kushtet e një nervoziteti të pakontrolluar babai e vret. 45-vjeçari Bregu, që sipas policisë ishte dënuar më herët për vrasje, ndodhej në fshatin e lindjes në Arrë të Dukagjinit me tre fëmijët e tij për të veruar bagëtitë.
Sipas dëshmive, familja jetonte në Bardhaj, në periferi të Shkodrës prej tre vjetësh, por në verë ata ktheheshin në Dukagjin për të veruar bagëtitë dhe kryer punë në tokën që kishin atje. Sipas të dhënave të policisë, vajza e mërzitur nga qëndrimi në fshatin Arrë ka kërkuar të kthehet te familja në fshatin Bardhaj, por kjo është kundërshtuar nga 45-vjeçari, i cili me vete mbante edhe një armë zjarri automatik pa leje. Mësohet se vajza ka tentuar të largohet me vrap, por rruga i është prerë në mes. Ajo vritet nga i ati, i cili më pas do ti telefononte të vëllait për atë që kishte bërë. Policia në vendngjarje ka gjetur të vrarë 14-vjeçaren me një plumb në kokë dhe 45-vjeçarin, në gishtat e të cilit kishte shenja baruti, çka edhe vërteton krimin e rëndë.
14-vjeçarja u qëllua teksa po vraponte burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip