E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aloe vera për shëndetin e dhëmbëve dhe gojës

Aloe vera, por sidomos xheli i saj, përdoret prej kohësh për përdorim të jashtëm, në rastin e një djegieje nga dielli, një plage, infeksioni dhe problemeve të tjera dermatologjike. Ajo që ende nuk dihej për xhelin e aloes është se mund të jetë efikas edhe për shëndetin e dhëmbëve dhe të gojës. Ky është përfundimi i një studimi të ri të kryer nga shkencëtarët e "Pushpagiri College of Dental Sciences" në Tiruvallam, Indi. Për të arritur në këtë përfundim, doktor Dilip George dhe kolegët e tij kanë provuar efektet e xhelit të aloe verës, duke i krahasuar me ato të dy pastave shumë të njohura. Në bazë të rezultateve të arritura, studiuesit kanë vënë re se xheli i aloe verës është mjaft efikas, ashtu sikurse edhe pastat e zakonshme, për të eliminuar mikroflorën bakteriale të kavitetit oral dhe pllakëzat bakteriale. Gjithashtu, xheli nuk ka efekt abraziv që mund të shqetësojë personat të cilët kanë dhëmbë dhe gingiva të ndjeshme. Po në të njëjtën mënyrë, kanë arritur të vërtetojnë se për sa i përket luftimit të mikrobeve, xheli i aloe verës është më efikas sesa pastat e zakonshme të dhëmbëve të përdorura për testin. Për më tepër, aloe redukton dhimbjet e forta që shkaktohen nga infeksionet ose inflamacionet falë efektit antiflamator. Rezultatet e këtij studimi janë publikuar edhe në revistën "General Dentistry".

Dhëmbë perfektë për shëndetin, por jo vetëm

Ndryshe nga meshkujt, femrat janë më të kujdesshme për higjienën e gojës. Sipas një sondazhi, e gjithë kjo është çështje mirëqenieje, por edhe "lidhje publike". Një gojë e shëndetshme është "një pasaportë" për të pasur marrëdhënie të mira shoqërore. Kështu janë shprehur 70 për qind e të intervistuarve për "Pfizer Consumer Health Care". Të intervistuarit nga mosha 26 deri në 64 vjeç kanë qenë disa mijëra. 68 për qind e tyre është shprehur se nëse partneri kujdeset për gojën dhe dhëmbët, lidhja bëhet më e fortë, ndërkohë që femrat ankohen jashtëzakonisht për higjienën e pakët të meshkujve. Femrat kujdesen më shumë për shëndetin e gingivave.

Rregullat për të "shpëtuar" buzëqeshjen

"Mbrojtja e shëndetit të dhëmbëve dhe gojës mund të arrihet lehtë, por vetëm nëse ndjekim shtatë hapa të thjeshtë". Këto janë fjalët e një stomatologu, i cili ka veçuar shtatë rregulla për të pasur një buzëqeshje vezulluese. Ja cilat janë:

1) Përdorni pastë me fluor dhe kur të lani dhëmbët mos e mbuloni të gjithë sipërfaqen e furçës.

2) Lajini dhëmbët me kujdes dhe shumë ngadalë. Duhen të paktën dy minuta në ditë për të pastruar gojën. Mos harroni të fërkoni mirë edhe ndarjet midis dhëmbëve.

3) Përdorni fill interdental, por nuk duhet të jetë shumë i ashpër.

4) Kurrë mos e lini pas dore larjen e dhëmbëve në darkë, sepse pllakëzat bakteriale akumulohen mes dhëmbëve dhe rreziqet për gojën shtohen.

5) Bëni kontroll te stomatologu të paktën një herë në vit, me një pastrim më profesional.

6) Kushtojini rëndësi të veçantë gojës dhe dhëmbëve sidomos gjatë shtatzënisë.

7) Kujdesuni për higjienën e gojës qëkur jeni të vegjël.

Kujdes natyror për dhimbjet e dhëmbëve

Freskia e gojës është pa dyshim e rëndësishme për të gjithë, prandaj shumë njerëz mundohen të kujdesen për dhëmbët duke përdorur produkte nga më të shtrenjtat për mirëqenien e tyre. Por, për një higjienë orale më të mirëfilltë, duhet t‘i besojmë më shumë një metode natyrale, larjes së kujdesshme me furçë dhe pastë dhëmbësh. Kjo mund ta zgjidhë më mirë dhe për një periudhë më të gjatë problemin e erës së pakëndshme të gojës apo acarimin e mishrave të dhëmbëve. Për të ruajtur një strukturë perfekte, është e nevojshme edhe një përkujdesje e përditshme që nga pastat zbardhuese, furçat e cilësisë së lartë, çamçakëzët dhe zbardhimi i herëpashershëm nga mjeku. Megjithatë, dhimbjet e dhëmbëve dhe gingivave janë problemi i ditës për shumë persona të cilët vuajnë vazhdimisht nga ky shqetësim. Të gjithëve, kujt më pak e kujt më shumë, i ka ndodhur të ketë probleme me gojën dhe të jetë i shkatërruar prej dhimbjeve. Për fat të mirë ilaçet natyrore për të lehtësuar dhimbjet e gingivave dhe dhëmbëve nuk mungojnë. I tillë është aloe vera, që zakonisht për problemet e kavitetit oral është në formë xheli. Aloe ka aftësinë të lehtësojë dhimbjet e irritimin dhe të rigjenerojë indet. Më pas vjen kamomili, që nuk ka ndonjë veti specifike shërimi kur na dhëmbin dhëmbët dhe gingivat, por është një lloj qetësuesi shumë efikas veçanërisht për gingivat kur dhimbja është e padurueshme. Përdorimi i vazhdueshëm i një produkti që përmban kamomil mund t‘ju ndihmojë të keni një gojë të freskët e me më pak dhimbje. Një mënyrë tjetër për të mbajtur të freskët gojën është edhe përdorimi pas çdo vakti i disa gjetheve mbi dhëmbë dhe mishrat e dhëmbëve. Para vendosjes së gjetheve dhëmbët duhet të jenë të larë. Do të shihni që rezultati do të jetë i shkëlqyer, aroma e gojës do të jetë e freskët dhe pa dyshim efekti do të zgjasë me shumë në krahasim me një çamçakëz.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›