E Diel, 1 Nëntor 2026

Alonso fillon nga zero

Pas triumfit në Bahrain, Fernando Alonso është treguar mjaft modest. Sipas pilotit spanjoll të Ferrarit, ajo ishte vetëm fitore në garën e parë dhe se rruga që qon drejt triumfit në Botërorin e Formula 1, është ende e gjatë.

Ai po mendon qysh tash për garën e ardhshme, në Melbourne të Australisë. “Duhet të qëndrojmë me këmbët në tokë dhe të mbetemi të qetë dhe të koncentruar. Në Melbourne fillojmë nga zero. Për mua nuk ka ndryshuar asgjë. Janë katër skuadra dhe tetë pilotë që do të luftojnë për fitore dhe nevojitet që ta japim maksimumin për të qenë përpara të tjerëve”, tha Alonso për uebfaqen e tij zyrtare.

“Kam ardhur në Australi qe disa ditë. Po përgatitem këtu për dy garat e njëpasnjëshme në Melbourne e Malajzi. Jam i gatshëm për t’u ballafaquar me garën e dytë të sezonit. suksesi i dyfishtë në Sakhir na ka dhënë besim të madh dhe ishte një shpërblim i mirë për gjithë atë që kemi bërë në dimër”, shtoi Alonso. Piloti spanjoll ka shpjeguar se përshtatet mjaft mirë në terrenin e Albert Park në Melbourne, i cili ofron disa lakime interesante.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›