E Diel, 1 Nëntor 2026

Alternativa e ahengut



Dy ditë më parë, partia kryesore e opozitës shprehu një shqetësim publik; asaj iu hoq tribuna për të zhvilluar një takim elektoral në qytetin e Kavajës. Autoritetet vendore të qytetit mbyllën dyert për vullnetarët e ndryshimit dhe ia nisën ahengut në mënyrë folklorike, duke cenuar rëndë një prej parimeve thelbësore demokratike dhe kushtetuese; tubimit; atë që të gjithë kavajasit dhe shqiptarët e fituan po në këtë qytet në vitin 1991.

Refuzimi i tribunës për opozitën është vetëm një shenjë e filozofisë së privimit që maxhoranca dhe kryeministri kanë nisur prej kohësh që t’i bëjë kundërshtarit politik, vetëm disa javë para betejës zgjedhore. Ekranet e televizioneve kombëtare janë mbushur me sukseset-hieroglifë të qeverisë “Berisha”. Me paratë e taksapaguesve shqiptarë, prej 2 muajsh bëhet agjid-propi i gjasme sukseseve të këtij kabineti, që në historinë e tij 4-vjeçare ka shënuar vetëm ministra pa imunitet, ministra që mbajnë damkën e të korruptuarit, që kanë ashiqare lidhje, tarafe dhe abuzime, që prangosin me karrigen e pushtetit. Berisha, me numrin 8, blen mediat vizive për të shitur para qytetarëve shqiptarë atë që nuk e fitoi as për një vit dhe as për katër vjet të mandatit të tij, atë që nuk e krijoi dhe fitoi për 7 ditë.

Kjo qeveri po uzurpon dhe manipulon garën e ndershme dhe demokratike me opozitën, duke tentuar që të blejë votën. “Shaban-Tapia” ishte në gjumin letargjik prej ariu deri para pak ditësh dhe tani ka dalë në “Bathore” për të bërë pazarin e këmbimit të lejes së legalizimit me votën. Shqiptarët e pastrehë deri sot, nesër ftohen për të shkuar në sportelet e bankave dhe për të marrë kredinë për shtëpinë e ëndërruar. Bizneseve të mbytura në borxhe deri para pak javësh iu falën kamatëvonesat në këmbim të fondeve që duhet të hedhin për fushatën e bollëkshme, në këtë kohë krize për shqiptarët dhe mbarë botën. Mësuesve dhe pensionistëve iu premtohen ca kacidhe më 1 maj, pikërisht atëherë kur do të “japin prova” se do të votojnë për “qeverinë e bollëkut”. Edhe paraplegjikët dhe tetraplegjikët u lanë në mjerimin e tyre deri para pak ditësh, dhe vetëm në fund u lëshoi kafshatën, vetëm e vetëm që t’u marrë votën dhe shpirtin më 28 qershor.
Sikur të mos mjaftonin katër vite në karrige, kryeministri duket se po rikthen edhe një herë ato premtime që s’i mbajti për mandatin që po firohet; qeveria e shërbimit dhe shërbesave; e kafshatës, e ujit dhe dritave me bollëk, e antikorrupsionit dhe antinepotizmit, e shqyerjes së universiteteve, e përrallave me investime dhe kapitale.
Për të gjitha këto, ai mund të bëjë agjit-propin sërish me shqiptarët, por ai nuk mund të abuzojë dhe manipulojë në garën e radhës, nuk mund të uzurpojë tribunën demokratike në të cilën kanë të drejtë të flasin të gjithë, të komunikojnë të gjithë me qytetarët e tyre.
Rasti më i fundit ndodhi në Kavajë, në vendin ku 19 vjet më parë ndodhën revoltat e para kundër regjimit komunist dhe ku 19 vjet më pas vazhdon të jetë e përfaqësuar në Kuvend dhe qeveri me individin dhe politikanin që iu ka dhënë atë që e morën vetë me luftë e sakrifica po 19 vjet më parë. Refuzimi i kërkesës së opozitës për të bërë ballafaqimin e radhës me vullnetarët e ndryshimit në Kavajë, e kthen qytetin simbol të demokracisë dhe ëndrrën e qytetarëve të kësaj zone 19 vite pas, e mban peng lirinë dhe pasionin e këtyre njerëzve me disa folkloristë, të cilët janë të dirigjuar nga lart për të bërë aheng sa kohë që opozita do të flasë me qytetarët e saj. Me refuzimin e kërkesës për miting nga opozita, edhe kësaj radhe, në Kavajë fitoi alternativa e ahengut dhe humbi qytetari. Humbi demokracia aty ku lindi.

21 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›