E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alternativa e parakushteve Rama-Ruçi, për miratimin e ligjeve “Shqipëria, si e gjithë Europa”?

24-09-2011 / Redaksionale

Patologjia e Edi Ramës për të krijuar slogane, parulla, fjalëkalime, editoriale dhe batuta ka kapur në nivelet maksimale të prodhimtarisë vetjake për qëllime mediatike. Javët e fundit ai tentoi të rikuperonte profesionin e ushtruar 15 vjet më parë. Dukshëm u vërtetua se kish humbur intuitën dhe empatinë e fjalës duke u kthyer në një analist të rëndomtë. I palodhur dhe i pakursyer dje Rama na ofertoi 10 propozime në një Pakt të cilit i kish qepur një emër: “Shqipëria si gjithë Europa”. Afërmendsh duke ripërdorur për motive të dobëta politike një kërkesë spontane të lëvizjes së dhjetorit e Partisë Demokratike të 20 vjetëve më parë: “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, për të rrëzuar regjimin komunist dhe zhdukur Partinë e Punës.
Megjithëse i palodhur dhe i pakursyer gjetja e Ramës ishte sa i pavend aq dhe provokative për shumë qytetarë. Është e papranueshme që kreu i Partisë Socialiste – që është pasardhëse e Partisë Punës, asaj Partie të cilët i shërbenin me devotshmëri Ministra të Brendshëm si Gramoz Ruçi, sot numri 2 i PS-së dhe kreu i Grupit Parlamentar - të përdorë qoftë për një slogan pajtimi një togfjalësh që ka brenda kuptim dhe një vlerë për shumë demokratë të orës së parë dhe pak për të orës së fundit. Nëse nuk është një fyerje për ideologjinë komuniste të Gramozit, pranohet; por të përdorësh sloganin e dalë nga studentët që formuan Partinë Demokratike për qëllime sensacionale, atëherë ajo është një përdhosje e qëllimtë e sakrificës për liri.
Por nuk është hera e parë që Edi Rama bën atentat verbal ndaj kujtesës së ditëve të para të rikthimit të demokracisë në vend. Ai tentoi të thyente një simbolikë të PD-së, Qytetin Studenti, aty ku nisi lëvizja antikomuniste shqiptare e vitit 1990, duke hapur fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 2009. Natyrisht jo vetëm kish zgjedhur vendin e papërshtatshëm për të hapur fushatën elektorale, por Edi Rama kish marrë me vete edhe njerëzit jo të duhur për t’i pasur në krah në sheshin e demokracisë. Me vete kish Gramoz Ruçin, i pozicionuar në atë kohë në krahun e pushtetit komunist, ish-sekretar i parë i partisë, e humbi që në nisje vlerën që deshi t’i japë Edi Rama kësaj simbolike, duke kthyer PS-në, partia që lindi nga Partia e Punës në një histori të re në një histori të ngjashme me atë të Partisë Demokratike. Atje në sheshin “Demokracia” çuni - o i Kristaqit, o i Xhelilit, me gocën e Hamitit dhe çunin e Sul Bushatit, nipat e Nexhmijes dhe pasardhësve të tjerë të pushtetarëve të vjetër, ata të gjithë së bashku, kërkonin më shumë të vajtonin sesa të festonin.
Sidoqoftë provokimi simbolik i Ramës, i marrjes së atributeve verore e simbolike të kundërshtarit, për t’i përvetësuar si medalje 20 vjet më vonë brenda një partie që ende ka kromozomin komunist anti-imperialist, me njerëz të modifikuar gjenetikisht dhe biologjikisht nga regjimi shtypës i Hoxhës, është i papranueshëm. Teprimi me gjetjen e formës duke përjashtuar përmbajtjen, qoftë edhe të brumit të historisë, është dëftyes për çekuilibrin bipolar të kreut të sotëm të Partisë Socialiste.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›