Dekurajimi i atyre që tregojnë me gisht nga krimi
Gjykata e Lartë i hapi dje rrugë përfundimisht mbylljes së procesit ndaj ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Kundërshtimi i kërkesës së prokurorisë për tre ekspertët diletantë të caktuar për të bërë alibinë e pafajësisë, si dhe kërkesa për të administruar aparatin e përgjimit dhe kompjuterin, janë gjeste të hapura që shprehin qëndrim armiqësor ndaj hetimit profesional të prokurorisë, e cila përdori në këtë rast ekspertizë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe si dhe ekspertoi aparatin e regjistrimit dhe kompjuterin ku janë bërë regjistrimet. Sjellja e Gjykatës së Lartë ndaj hetimit është qartazi tendencioze dhe reflekton gatishmërinë për ta mbyllur procesin dhe për të futur në spiralen e ndëshkimit gjithkënd që do të guxojë të denoncojë më tej në këtë vend. Kjo praktikë, pra injorimi i hetimeve dhe dekurajimi i denoncimeve, po kthehet në një praktikë pune normale në gjykatat shqiptare. Gjithnjë e më shumë në vendimet e tyre po zënë vend vendime që janë në anën e agresorëve apo të inkriminuarve, por sidomos bëhet kujdes që të jenë kundër denoncuesve. Në rastin konkret Gjykata e Lartë më shumë po harxhon kohë të shantazhojë Dritan Priftin se sa të gjykojë mbi një tmerr që e kanë parë me zë dhe figurë gjithë shqiptarët. Spekulimi me autenticitetin e videos është shtazarak. Edhe sikur atë video tani ta hedhësh në koshin e plehrave dhe të bashkosh në një video të vetme gjithë sqarimet që Ilir Meta ka dhënë këto 9 muaj për atë regjistrim, nxjerr dhjetëra gjëra më shumë për gjykim se sa nga vetë ajo video. Ilir Meta ka pranuar që ka qenë në zyrë të Dritan Priftit, pranon bisedën me të, pranon bllokun, bile e shpjegon pse e mban, se e ka amanet nga kryeministri Simitis, pranon bisedat për hidrocentrale, të punësuarit pa diplomë, tenderat e Albpetrolit etj. Edhe të vetmin alarm që pati Sali Berisha për një shkurtim 22 sekonda të videos, që është bërë për mungesë interesi nga Fiks Fare, po ta lësh të plotë në fakt të çon tek Familja e Sali Berishës, pasi konkurrenti i atij Agimit që Ilir Meta thoshte do të na japë 700 mijë euro, është në të vërtetë një biznesmen i Familjes Berisha. Kjo shpjegon dhe tërbimin e tij ndaj atij që ai e quante keqkuptim nga shkurtimi i videos, por që në fakt paska qenë goditje në ballë pikërisht për Berishën. Pra, thelbi i gjithë kësaj historie është se videoja nuk ka më rëndësi edhe pse është një argument i fortë në duart e gjykatës për ta dënuar atë për kapje shteti. Por fakti që gjykata po përpilon pyetje retorike rreth videos, të cilat duhet ti lehtësojnë asaj një vendim që mbyll çështjen, na e bën të qartë fundin e këtij procesi.
Por siç theksova, më shumë se mbylljen e procesit, Gjykata ka marrë përsipër të terrorizojë dhe dekurajojë njerëzit që denoncojnë. Përpjekjet e saj janë përqendruar tani të mbajë nën tension Dritan Priftin si denoncues dhe të merret me infrastrukturën e përgjimit të tij. Si për koincidencë po dje kam pasur një gjyq në Gjykatën e Tiranës ku biznesmeni i Familjes, Rezart Taçi, më ka paditur përse e kam denoncuar si dhunues fizik dhe si një biznesmen i mbështetur në kurriz të tjerëve nga Familja në pushtet. Ideja është që në këtë vend, pasi të vjedh dikush, duhet dënuar denoncuesi; pasi të qëllon dikush për shkak të profesionit, duhet dënuar i dhunuari, që herë tjetër mos të denoncojë njeri; pasi vriten demonstrues, duhet të dënohen organizatorët e protestës dhe jo vrasësit e 21 Janarit; pasi bëhen greva urie duhen dekurajuar punëtorët dhe jo ata që po çojnë në mjerim një qytet që mund të hante sot me lugë floriri, por që po u shuhen njerëzit nga infarkti prej stresit se nuk kanë çfarë tu çojnë fëmijëve në mbrëmje.
Institucioni që ka hyrë kokë e këmbë në këtë lojë kriminale është Gjykata e Lartë. Ajo po hyn në këtë spirale të turpshme mosndëshkimi të krimit, kundër çdo lloj interesi kombëtar, kundër çdo lloj politike parimore për ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit, kundër çdo lloj prioriteti tonë kombëtar për tu bërë një vend evropian. Ajo po sillet si një celulë që inkurajon krimin dhe shpërblehet prej pushtetit për këtë sjellje. Mesazhi që ajo ka dhënë me gjyqin ndaj Lulëzim Bashës, Fatmir Mediut dhe tashmë ndaj Ilir Metës, është mesazhi më dekurajues për çdo qytetar shqiptar për të pasur shpresë se padrejtësia një ditë do të dënohet. As kur vret 26 vetë, as kur pushkaton katër vetë, as kur flet për dhjetë minuta për 10 milionë euro, as kur vjedh mbi 200 milionë euro nuk dënohesh nëse je me pushtetin. Nëse je kundër tij, mund të dënohesh edhe pse je ankuar në gjykatë se një bandit i pushtetit të ka dhunuar.
