Lulzim Basha, je si epitaf i Aleko Prodanit
Drejtori i Qendrës Kulturore Tirana i drejtohet kryetarit të Bashkisë, pasi i ka komunikuar ndërprerjen e kontratës
Z. Basha, ju po bëni shaka me punën
Nga Kiço Londo
Jam para jush sot, jo thjesht për të bërë një njoftim, por për të bërë një deklaratë, e cila buron prej burokracisë ndërprerëse. Ju do të pyesni çështë burokracia ndërprerëse? Është shkresokracia alogjike, vrasëse e kulturës dhe bllokuese e punës. Është ajo që i thotë krijuesit, nuk na duhesh dhe pasionantit me firmë dhe vulë paskrupullsisht i thotë: ik se punove shumë.
Më duhet ta njoftoj ekipin krijues së Metropolit, kryesisht artistët e rinj, median e nderuar dhe të respektuar, publikun e dashur dhe qytetarët e Metropolit se një letër e kryetarit të bashkisë më bën me dije sot, fillimin e procedurës për ndërprerjen e kontratës si drejtori i Qendrës së Metropolit pa dhënë asnjë argument dhe shkak për zgjidhjen e kësaj kontrate. Nuk kam asnjë koment për shkresën qesharake, komenti im është ai që ka lidhje me institucionin dhe mjedisin ku unë aktualisht bëj publike këtë deklaratë.
Ky është një institucion sfidant, zyrtarisht institucion që përballon tetë shfaqje në javë dhe pas dy javësh 12 shfaqje në javë në katër salla. Është institucioni me kalendarin artistik më të pasur më cilësor dhe më kreativ ndër gjithë institucionet kulturore të Shqipërisë së sotme. Është institucioni, në të cilën aktivizohen më shumë se 120 artistë të rinj në vit dhe brenda tre viteve në këtë teatër janë shfaqur 40 premiera, shifër kjo më e madhe se e të dhjetë institucioneve artistike të Shqipërisë përfshirë edhe ato kombëtare. Është institucioni i vetëm artistik në Shqipëri që funksionon me kontratë dhe ka ritmin e kohës. Unë flas vetëm për punët e kryera, jo për punët e premtuara. Administrata e Bashkisë më ka komunikuar sot mbylljen e kontratës si drejtor i kësaj Qendre Multikulturore, por unë kam fatmirësisht një kontratë tjetër të përhershme, të cilën askush nuk ma zgjidh dot, atë të artistit e të menaxhuesit-krijues.
Pa dashur të neglizhoj modestinë më duhet të pohoj se ndoshta jo rastësisht edhe largimi im nga Teatri Kombëtar u bë pikërisht në momentin kur arritëm të jepnim si sot te Metropoli 8 shfaqje në javë.
Ju bëj me dije se projektet e mia vazhdojnë dhe misionin me të rinjtë nuk do ta ndërpres asnjëherë. Ndërsa njeriut që firmosi shkresën groteske pa motiv dhe pa argument juridik dhe administrativ, përmes medias dua ti kujtoj epitafin e një artisti, të cilin ai mund të mos e ketë njohur, por pashmangshmërisht prej artit të tij ka qeshur. E kam fjalën për aktorin e mrekullueshëm Aleko Prodani.
Zoti Basha!
Aleko Prodani ka zgjedhur këtë epitaf:
Një ditë do të kthehem dhe do tu them: Bëra shaka
Zoti Basha!
Ndërsa ju po bëni shaka me punën dhe kjo në jetë dhe art vlerësohet si dramatike.
Tiranë, 23 shtator 2011