Shtëpia e Bardhë publikon fotot e çiftit presidencial Obama me kryeministrin Sali Berisha dhe bashkëshorten e tij, Liri Berisha
Shtëpia e Bardhë ka publikuar fotografinë e përbashkët të çiftit presidencial amerikan, Barack e Mishele Obama me kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe bashkëshorten, Liri Berisha.
Kryeministri Berisha mori pjesë me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara Barack Obama, në pritjen e organizuar prej tij për nder të kryetarëve të shteteve dhe qeverive që marrin pjesë në punimet e sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Obama për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën Presidenti e pranoi me kënaqësi.
Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, kreu i qeverisë shqiptare ka zhvilluar gjithashtu takime të rëndësishme me presidentët si atë të Polonisë Bronisłaë Komorowski, Hungarisë Pal Schmitt, Çekisë Vaclav Klaus, Gjeorgjisë Mikheil Saakashvili, kryeministrat e Britanisë së Madhe David Cameron, Suedisë Fredrik Reinfeldt, Zëvendëskryeministrin e Luksemburgut Jean Asselborn, me të cilët diskutoi mbi marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet në rajon. Kryeministri ftoi të vizitojnë Shqipërinë, Kancelarin e Austrisë Werner Faymann, si dhe Ministrin e Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, të cilët i falënderoi për ndihmën e madhe që i kanë dhënë Shqipërisë.