E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alterteksti në arsimin parauniversitar në Shqipëri

 Pjesë e këtij reformimi vazhdimisht kanë qenë edhe tekstet e shkollave parauniversitare duke pësuar ndryshime, ku një pjesë e tyre kanë qenë të nevojshme ndërsa një pjesë tjetër jo. Këto ndryshime ndikojnë negativisht te nxënësit. Ato shkaktojnë shpërqendrim të tyre, vështirësi në të mësuar dhe probleme në testet e maturës.  Madje disa prej tyre kanë probleme në përkthim, kryesisht ato artikuj që janë përkthyer nga italishtja.

A duhen ndryshuar tekstet e arsimit parauniversitar? Nëse po, çfarë ndryshimesh duhen bërë, brenda çfarë cikli kohor duhen të ndodhin ato, dhe kush i sjell këto ndryshime?

Sot jetojmë në një periudhë që ndryshon dita-ditës ndaj lind nevoja që edhe tekstet e arsimit parauniversitar të ndryshojnë në përshtatje me kohën që po jetojmë. Por kjo s’do të thotë që ndryshimet e bëra të jenë të menjëhershme dhe aq të mëdha saqë nxënësit ti kenë të vështirë për ti kapërdirë. Ato duhet të vijnë natyrshëm, në kohë më të gjata,

 P.sh ekspertët e arsimit sugjerojnë njëherë në tre ose katër vjet. Konkretisht, në gjimnazet e vendit, në klasat 12-të, brenda një kohe të shkurtër janë përdorur dy tekste të ndryshme të historisë së popullit shqiptar, profili natyror. Njëri i botuar nga shtëpia botuese “Pegi” dhe tjetri nga “Eugeni”.
                                    
Të dy këto botime kanë zëvendësuar njeri-tjetrin. Ajo që ndodhi në momentin që në botimin e “Eugen”-it u soll diçka ndryshe nga botimi i “Pegit” ishte një reagim i të gjithë intelektualëve, mësuesve dhe nxënësve duke provokuar debate publike dhe tërheqjen e botimit nga gjimnazet për t’u korrigjuar(pavarësisht nëse ishte gabim apo e saktë e reja që u soll).

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me tekste të tjera, ndaj mjafton rasti i mësipërm për ta kuptuar të gjithë problemin, sepse siç thotë dhe një shprehje, “Për të kuptuar që deti është i kripur mjafton të pishë një gotë”.
Pasojat që sjell problemi në fjalë janë të ndryshme, si:

-Së pari mësuesit i duhet të mësohet dhe përshtatet me lëndët e reja që zëvendësojnë njëra-tjetrën. Por kjo ha mjaft kohë, sepse gjatë trajtimit të problemeve hasin vështirësi dhe një pjesë të kohës që do të duhej ti kushtohej nxënësve ata e harxhojnë duke u marrë me librin.

-Së dyti shkakton paqartësi te nxënësit. Kur vijnë provimet e maturës, përballen ose duhet të zgjidhin probleme të patrajtuara gjatë shkollës.

-Së treti shkakton probleme dhe për vetë MASH-in, sepse i duhet të hartoj testet përfundimtare në përputhje me ndryshimet e bëra.

Për një qasje më realiste, së pari duhet të dimë se kush e ka të drejtën për ti botuar këto tekste (autorët), të drejtën për ti shtypur ato(shtëpitë botuese) dhe kuadrin ligjor në të cilin veprojnë.

Sipas ligjit nr.260, datë 18.04.2007 “Për Botimet Dhe Shpërndarjen e Teksteve Shkollore Të Sistemit Të Arsimit Parauniversitar”. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, 56 e 63 të ligjit nr.7952, datë 21.06.1995 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, të ndryshuar me propozimin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave vendosi:

Ministria e Arsimit dhe Shkencës miraton dhe certifikon tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, të cilat konkurrojnë, në barazi të plotë, në përzgjedhje nga përdoruesit. Kriteret dhe procedurat e konkurrimit dhe të përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Më thjeshtë, ky ligj i jep mundësi të gjithë botuesve dhe autorëve që duan të konkurrojnë me tekstet e tyre parauniversitare. Por para kësaj MASH-i, si kriter të fortë për të konkurruar ka vendosur eksperiencën e tyre dhe të renë që sjellin. Kurse për vlerësimin e teksteve, ngrihen komisione ekspertësh prej gjashtë personash ose zyrtarësh nga MASH-i, për secilën lëndë. Këto komisione kanë të drejtë të përzgjedhin komisione të tjera, tashmë në bazë shkolle. Ato përbëhen nga mësuesit e lëndëve përkatëse.

Pasi kanë parë çmimin e tekstit(ata nuk vendosin për çmimet e tyre por thjesht shikojnë vlerën, sepse mjaft prindër nuk i përballojnë dot), ndryshimin që ai ka pësuar nga një vit në tjetrin, përparësitë dhe mangësitë që shfaq secili prej tyre, më pas këto komisione vlerësojnë dhe zgjedhin ato tekste që janë më cilësore dhe më të pasuara në përmbajtje. Tekstet kur vlerësohen janë anonimë, pa emrin e autorëve. Kjo bëhet me qëllim për të shmangur favorizimet.

Përzgjedhja e teksteve konsiderohet si pika më e rëndësishme pasi tekstet e miratuara nga Komisioni i Miratimit të Teksteve, përzgjidhen nga mësuesit përkatës për tu përdorur më pas gjatë vitit shkollor nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Në procesin e selektimit, nxënësit nuk marrin pjesë sepse konsiderohen të paformuar, por edhe rolin e prindërve nuk e marrin parasysh me të gjithë sugjerimet që ata mund të kenë.
Më shumë se 25-së shtëpi botuese ofrojnë alternativat e tyre në lëndët përkatëse ku ato janë të specializuara. Në momentin që janë zgjedhur tekstet që do të përdoren, ato fillojnë të shiten nëpër shkolla nga vetë shtëpitë botuese, me një çmim të vendosur prej tyre.

Formula duket e thjeshtë dhe rezultative, por duhet parë më me kujdes. Kjo mënyrë nxit ndryshimin e vit përvitshëm të teksteve, kur ato botohen nga shtëpitë botuese. Çdo vit zgjidhet një botues i ri për të njëjtin tekst dhe kjo normalisht që sjell ndryshime dhe probleme. Kështu pra, e mira do të ishte që për një kohë të caktuar(disa vite), një shtëpi botuese të botonte të njëjtin tekst sepse edhe nëse bëhen ndryshime ato do jenë të logjikshme dhe jo çorientuese.
/Elio Gorica/Start/

                                                                                             2012-01-02 15:26
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›