Altin Haxhi, debutim me fat në Champions
Duhej të priste moshën 34-vjeçare për të debutuar në aktivitetin më prestigjioz për klube, Ligën e Kampioneve. Për Altin Haxhin, në përballjen e së martës, ku Apoel Nikosia barazoi 0:0 në fushën e spanjollëve të Atletikos së Madridit u kurorëzua një ëndërr. Ish-mbrojtësi i Kombëtares u aktivizua gjatë gjithë 90 minutëshit, edhe pse në minutën e 40 të lojës rrezikoi t‘i dhuronte madrilenëve golin që do vlente tri pikë. Haxhi tregoi pasiguri, duke lejuar Zhoze Manuel Zhuradon të rrezikonte portën, por për fatin e tij, ish-sulmuesi i Majorkës gaboi. Për gjirokastritin ky ishte edhe një rikthim pas pezullimit për kartonin e kuq që mori në sfidën eliminatore përballë FC Kopenhagen. Haxhi bëhet lojtari i gjashtë kuqezi që luan në Champions, pas Hasit, Canës, Beqajt, Berishës dhe Bozgos.