Kuzhe në Vjenë për Salihin
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, do të jetë i pranishëm sot në stadiumin "Ernst Hapel" të Vjenës, për të ndjekur nga afër sfidën ndërmjet Rapidit dhe Hamburgut. Në ndeshjen e parë të Grupit C në Ligën Europiane, drejtuesi i stolit kuqezi shpreson të shohë në aksion sulmuesin Hamdi Salihi, i cili u bashkua me skuadrën e drejtuar nga Peter Pakult në çastet e fundit të merkatos. "Bomberi" shkodran e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën me ekipin e ri, duke shënuar golin e barazimit 2:2 në debutimin përballë Salzburgut. 25-vjeçari konfirmoi se nuk ka probleme me integrimin dhe lëshoi sinjale të forta se kërkon një fanellë titullari te gjigantët vjenezë. Kuzhe do të jetë mes 53 mijë të pranishmëve për të parë Salihin në aksionin: loja e sulmuesit pëlqehet nga kroati 56-vjeçar, i cili e ka aktivizuar gjithmonë si titullar, që prej emërimit në krye të Shqipërisë. Rapidi do të kërkojë të bëjë surprizën përballë gjermanëve që gjatë sezonit të kaluar ishin gjysmëfinalistë të Kupës UEFA. Kjo skuadër ka potencial, pasi në turin e fundit eliminator, eliminoi anglezët e Aston Vilës. Pasi të vëzhgojë Salihin, Kuzhe do të udhëtojë drejt Ukrainës. Të shtunën, më 19 shtator, trajneri do të ndjekë "derbin shqiptar" në Vyscha Liga, ku Vorskla e Dallkut, Currit e Januzit luan përballë Krivbasit të Bulkut, Agollit, Hidit e Bylykbashit.