E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Shkodër ka një çështje "Sinani": Aktivizimi, specialistët kundër Likës

Vllaznia po stonon në këtë fillim kampionati. E parë si një nga skuadrat kryesore për të pretenduar titullin kampion, është "katandisur" si mos më keq pas tre javëve të para. Dy humbje dhe një barazim dhe përballë kundërshtarësh jo të nivelit të saj, e lënë atë në vendin e 9 me 3 pikë. Dhe sigurisht një përgjegjësi jo të vogël për këtë e ka sulmi, i konsideruar si reparti më i dobët i ekipit. Në qendër të kritikave është vënë kapiteni dhe njëkohësit sulmuesi kryesor, Vioresin Sinani. Periudha e tij jo e mirë është importuar që nga sezonin i kaluar, ku paraqitja e tij nuk qe e kënaqshme. Rikthimi i madh pritej të ndodhte në këtë fillim sezoni, por ka ndodhur e kundërta. Në tri javët e para, apo edhe gjatë periudhës së verës ka pasur dyshime të forta për formën e tij, megjithatë stafi teknik dhe drejtues të Vllaznisë kanë vazhduar të besojnë. Por menjëherë pas ndeshjes me Kastriotin, ku kapiteni i kuqebluve humbi raste flagrant për gol dhe për 80 minuta, që qëndroi në fushën e lojës nuk arriti të bënte asnjë goditje në portë, Sinani ka marrë kritika të shumta si nga specialistët e futbollit në Shkodër, por edhe nga stafi drejtues, ku mësohet se ky i fundit ka rezerva shumë të mëdha për kontributin e tij në fushën e lojës. Pakënaqësia arriti deri aty saqë vetë krerët e klubit, në fillim të kësaj jave hodhën idenë, që në takimin e radhës, ndaj Dinamos, ai të mos ishte në fushën e lojës, por në stolin e rezervave. Këtë mendim kishin shprehur edhe disa nga specialistët e futbollit në qytetin verior (Ramazan Rragami: "Po çalon reparti i sulmit. Nëse Sinani nuk është në gjendjen e tij më të mirë sportive dhe shëndetësore duhet të ketë kurajën dhe t‘u hapë rrugë të tjerëve". Burime konfidenciale pranë klubit bënë të ditur se stafi teknik i kryesuar nga trajneri Hasan Lika ka vendosur të mos i marrin parasysh kritikat dhe në ndeshjen ndaj Dinamos, Sinani pritet të luajë që nga minuta e parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›