Altin Lala, 600 000 euro rrogë tek Hanoveri

Bledar KUKA - Krejt e saktë është të thuhet se kontrata aktuale e kapitenit kuqezi arrin deri në këtë tavan financiar. Pasi u diskutua shumë muaj më parë, në shkurt 2007, agjenti i tij Harun Arslani arriti t’i shkëpuste klubit hanoveran një kontratë të kënaqshme, ndonëse të ndryshme nga ajo e mëparshmja. Mediat gjermane (fussballnet.de) njoftuan se paga e Lalës do të mbështetej më shumë se në të kaluarën në arritjet e tij, pra në numrin e ndeshjeve. Nuk besohet se kanë luajtur rol golat pasi Altini kurrë nuk ka qenë në fushë për ta.
Tashmë, Hanoveri i ofroi edhe një kontratë të re ish-kapitenit të tij, me gjatësi njëvjeçare, pra 2009-2010, ndonëse shifrat konkrete nuk janë dhënë. Ndoshta mund të jenë ruajtur të njëjtat, në aspektin financiar, gjithnjë duke u kujdesur që të mos goditen aq rëndë nga kriza ekonomike që besohet se në Gjermani do të kulmojë vitin e ardhshëm. Presidenti i klubit, Martin Kind, ka shumë konsideratë për Lalën, njeriun që krijoi në 10 vjet një simbol jo vetëm futbollistik në qytetin e njohur gjerman.
“Ai e ka njëjësuar vetveten tërësisht me 96-ën (Hanoverin), - thotë Kindi, - tërheq mbi vete simpatinë e njerëzve dhe në skuadër ka një imazh të shkëlqyer njerëzor dhe sportiv”. Kjo nuk është e lehtë në një qytet me tradita në Gjermani, princat e të cilit (familja e dukëve të Brunsvik-Lënenburgut) i dhanë dinastinë mbretërore Britanisë së Madhe më 1714, të quajtur të hanoverianëve, pinjolle e së cilës është edhe mbretëresha e sotme, Elizabeta II.
Për të kuptuar rëndësinë e kontratës së Lalës, mjafton të kujtojmë se braziliani i talentuar Vinicius, që është 26 vjeç, pra 7 vjet më i ri sesa shqiptari, ka kushte thuajse të përafërta me të. Vicinius zgjati kontratën me Hanoverin deri më 2010 me rrogë bazë 400 000 euro (besohet kaq duhet ta ketë bazën edhe Lala) dhe, nëse luan një përqindje të mirë ndeshjesh pagesa vjetore i arrin ashtu si kapitenit kuqezi në 600 000 euro.
Ndërkaq për Lalën ka edhe aktivitete të tjerë jashtë futbollit, që nga projektet mbi integrimin e emigrantëve, tek shembulli për fëmijët apo edhe kalërimi, një sport me shumë tradita në Hanover. Qyteti i Niderzahsenit është tepër i famshëm në Gjermani për kalërim, ashtu si edhe qyteti krejt perëndimor i landit Nordrajn Vestfalen, Aheni.
E Shtune, 27 Dhjetor 2008