Han: “Sa më shumë suksese në 2009-n”“Shpresoj të kemi sa më shumë suksese për 2009 dhe të fitojmë sa më shumë. Unë e di që është vështirë por do të bëjmë maksimumin për të pasur këtë sukses”, - shtoi tekniku i katërt i huaj që drejton Shq

“Kam ardhur në Shqipëri para fillimit të vitit për tu përgatitur gjithçka para Maltës”. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, u tregua si gjithmonë hapur me media në vizitën e tij të fundit për këtë vit në Shqipëri.
“Shpresoj të kemi sa më shumë suksese për 2009 dhe të fitojmë sa më shumë. Unë e di që është vështirë por do të bëjmë maksimumin për të pasur këtë sukses”, - shtoi tekniku i katërt i huaj që drejton Shqipërinë pas viteve 2000 në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”.
“Pas disa problemeve kemi pasur një vit shumë të mirë dhe mendoj se tani skuadra është e stabilizuar”, -theksoi Ari Han, i cili ka një bilanc pozitiv në krye të kuqezinjve, që kur e mori zyrtarisht detyrën, më 4 janar 2008.
Shqipëria në drejtimin e tij ka zhvilluar shtatë ndeshje ndërkombëtare, katër zyrtare dhe 3 miqësore, duke humbur vetëm dy takime, atë me Hungarinë (2-0, zyrtare) dhe me Poloninë (1-0, miqësore).
“Unë kam dashur 20-25 futbollistë në ekip dhe tani kemi një skuadër më në formë dhe rezultatet e fundit i kanë dhënë lojtarëve më tepër besim”. Ndeshja e fundit zyrtare e Shqipërisë ishte barazimi i madh me Portugalinë (0-0) në Braga, ndërsa ajo miqësore me Azerbajxhanin në (1-1) Baku, takim ku Ari Han thirri disa lojtarë të Shpresave.
Takimi me Maltën do të zhvillohet, më 11 shkurt, dhe në rast fitoreje në “Ta’Qali”, Shqipëria do të marrë përkohësisht kryesimin e Grupit 1 eliminator ku bëjnë pjesë edhe Suedia, Danimarka, Hungaria e Portugalia.
E Shtune, 27 Dhjetor 2008