Altin Lala: Edhe tre vjet në futboll
Në radhët e Hanoverit ai bie lehtë në sy: me vetëm 172 centimetra është mes futbollistëve shtatshkurtër të skuadrës (dhe nuk ka shumë të tillë). Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar Altin Lalën që të shndërrohet në një lojtar shumë të rëndësishëm dhe në idhullin e tifozëve. Të shtunën, Lala u aktivizua përgjatë gjithë 90-minutëshit në barazimin 2-2 me Herthën e Berlinit. "Ishte një ndeshje e vështirë, pasi Hertha kishte shtatë javë pa fituar. Megjithatë, nuk mund t‘i lejonim që të merrnin tri pikët kundër nesh", tha kapiteni i kombëtares. Në 10 vjet karrierë me Hanoverin, ku për katër sezone radhazi ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, mesfushori nuk ka ditur të bëjë vetëm një gjë: të shënojë gola. Në 145 ndeshje të luajtura në Bundesligë, ai ka shënuar vetëm një herë, në sfidën e sezonit të kaluar, kur Hanover mposhti 5-0 pikërisht Herthën. "Për fat të keq, statistikat në Gjermani janë shumë të mira. Është e vërtetë që në lojën ofensive nuk kam qenë një nga ata futbollistë që bien në sy. Megjithatë, jam i mendimit se një lojtar duhet të bëjë aq sa mundet. Vitin e kaluar shënova golin e vetëm në Bundesligë kundër Herthës. Kundër kësaj skuadre luaj mirë dhe ruaj kujtime të bukura: falë rrjetës që i shënova atyre nuk më duhet të përballem më me pyetjen ‘kur do të realizosh golin e parë‘. Shpresoja të përsëritesha edhe këtë vit, por nuk ndodhi. Jam më shumë një lojtar skuadre, luaj për të mbrojtur: në vend të manovrave sulmuese, unë bëj ‘punën e pisët‘. Jam i kënaqur me ato çfarë kam arritur dhe kam shumë besim tek e ardhmja". Në moshën 32-vjeçare është pikërisht e ardhmja mendimi kryesor i mesfushorit. Forma e jashtëzakonshme dhe aktivizimi i rregullt në formacionin kanë bërë që në Gjermani të pyesin nëse shqiptari do të luajë deri në moshën 40 vjeç. Paraqitjet e mira kanë bërë që edhe trajneri Ari Han, së fundmi, ta etiketojë si "një lojtar, që për mua është ende i ri". Gjithsesi, Lala duket se e ka menduar momentin se kur do të "varë këpucët në gozhdë". "Është e jashtëzakonshme që disa (lojtarë) luajnë deri në moshën 40 vjeç. Megjithatë, personalisht mendoj të luaj edhe tre vjet dhe pastaj të tërhiqem", pohoi kavajasi. Marrëveshja me "Drogeriemarkt-Kette Rossman", e cila operon me mjaft sukses në kontinent në fushën e farmaceutikëve, për të hapur një supermarket që produktet e kësaj kompanie të shiten edhe në Shqipëri, krijoi iluzionin se shumë shpejt kuqeziu mund të tërhiqej nga futbolli i luajtur. Por, ai e hodhi poshtë këtë hipotezë: "Padyshim që futbolli qëndron në vend të parë për mua. Është ende gjëja që di të bëj më mirë dhe për momentin nuk dua të heq dorë. Madje, në të ardhmen dëshiroj që të qëndroj te Hanoveri si zbulues talentesh apo trajner. Nuk jam nga ata tipa që përdor krem apo xhel flokësh: për momentin në kokën time ka vetëm shampo. Bashkëpunimi me z.Rosman erdhi pas një ideje që ka lindur disa vjet më parë. Në Shqipëri nuk ka markete të mëdha për këto lloj produktesh dhe nëpër dyqane shiten shumë shtrenjtë. Ky bashkëpunim është një detyrim i rëndësishëm për mua në të ardhmen, pasi jam i lumtur të ndihmoj vendin tim, për të krijuar mundësi të reja punësimi. Gjithsesi, detyra ime është sigurimi i kontakteve vendase, pasi e njoh mënyrën si mendojnë njerëzit në Shqipëri". Në fund edhe një dëshirë: "Hanoveri në Kupën UEFA do të ishte një ëndërr. Klubi e ka potencialin për të ardhmen. Natyrisht që edhe fitorja e një trofeu do të ishte kurorëzimi i punës së gjatë, por realisht që në Gjermani është bërë shumë e vështirë të triumfosh...".