E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apokalipsi i botës së mbrapshtë

Një ditë bota zgjohet dhe zbulon se nuk ka më naftë, as energji elektrike, as gaz dhe as karbon. Në vendet malore situata është disi më pak alarmante, por në qytete gjithçka është ndryshe. Është dimër, dimri i ftohtë dhe i lagësht i qyteteve plot mjegull dhe vetminë e çdokujt që së bashku formojnë një boshllëk të madh. Gjithsesi, ditët e para janë më pak të vështira dhe njerëzit arrijnë të mbijetojnë edhe pse ankthi dhe kaosi i ka pushtuar të gjithë. E kanë kuptuar që nuk ka më karburant, elektricitet, gaz dhe karbon. Askush nuk bën pyetjen, pse. I ftohti vret dhe të privuar nga energjia elektrike çdo mjet ngrohës kthehet në rrangallë. Kështu, njerëzit vrapojnë për të blerë ndonjë sobë, furnelë ose gjithçka tjetër që punon me dru. Por nuk ka për të gjithë, pasi stufat, sobat dhe mjete të tilla ngrohëse më parë konsideroheshin si mjete qesharake dhe jashtë mode prej të cilave shumë pak kishin mbetur në qarkullim. Ata që mbeten pa to fillojnë të mbledhin kazanë gize, hekuri, çeliku në mënyrë që t‘i përdorin si soba më dru. Por gjithsesi, fillon të mungojë druri dhe në të shumtën e shtëpive mungojnë instalimet për sobat me dru. Kështu fillojnë të vendosin tuba gjithandej, në dritare, çajnë muret e shtëpive, por gjithsesi, më të ndotura se ç‘janë qytetet nuk ka ku të shkojë më! Por mbetet problemi i drurit. Nuk vijnë më furnizime, madje edhe rezervat kanë shteruar. Dyqanet dhe supermarketet që shisnin copa karboni për të ndezur zjarre, lëkura, cilindra druri të presuar për zgarat shtëpiake u zbrazën brenda një dite. Frika fillon të bëhet akoma më e madhe: "Bën ftohtë, çfarë do bëjmë?" Në këtë fazë njerëzit mendojnë se nuk kanë se çfarë ju duhen aq shumë objekte në shtëpi. I bëjnë copash dhe i djegin. Djegin gjithçka që u duket e panevojshme. Ngrohen! Por dimri vazhdon, është i gjatë. "Nuk na hyjnë në punë karriget - thonë - mund të hamë edhe në këmbë". Duke u ngrohur karriget mbarojnë. Atëherë thonë se mund të bëjnë edhe pa tavolinat, dollapët, bibliotekat (ata që i kanë) dhe gjithçka tjetër që është dru. Pastaj kuptojnë se mund të flihet edhe pa shtretër, në dyshek. Djegin për dru, krevate martesorë, tek, komodina dhe portmonto pa më të voglin pishman. Zbulojnë se përballë nevojës, asgjë nuk ka më vlerë se jeta. Më shumë se kujtimet e venitura të gjyshërve! Në darkë nuk ka më televizor, kjo është pak e vështirë për t‘u kaluar. "Çfarë do bëjmë?" Mungon elektriciteti, s‘ka TV, as dritë, as furrë me mikrovalë, as ujë të ngrohtë (të paktën të rrjedhshëm) asgjë prej gjëje. Netët e para janë vërtet makthe. "Por si do t‘ia bëjmë për të shtyrë kohën?" Dikush thotë "le të lexojmë". Kështu që rendin për të gjetur libra, revista, gazeta, numëratorë telefonikë, gjithçka që ku janë shtypur shkronjat e alfabetit. Rendin nëpër biblioteka, librari, shtëpi botimi dhe kudo ku mund të gjejnë për të lexuar. I gjejnë përtokë, sepse sirtarët, raftet dhe gjithçka tjetër ka shërbyer për t‘u ngrohur. Lexojnë nën dritën e qirinjve, llambave me vajgur, por edhe këto fillojnë të konsumohen deri në ezaurim. Atëherë fillojnë të lexojnë vetëm ditën deri në muzg dhe pastaj vazhdojë të flasin me njëri-tjetrin derisa të vijë ora e gjumit. Por nuk është gjithçka kaq e thjeshtë. Shumë fillojnë të çmenden. Sillen vërdallë nëpër qytete e errëta si miniera karboni, shumë vrasin veten, të tjerë vdesin nga dëshpërimi. Nuk është aq e thjeshtë të mbetesh pa komoditet, të paktën me aq sa jemi mësuar të kemi. Komoditeti që humbet befasisht krijon panik, nuk jemi të përgatitur.

Fabrikat janë mbyllur, shkollat gjithashtu, dyqanet, baret, diskotekat etj. Gjithçka e mbyllur. Gjatë ditës njerëzit lëvizin në këmbë ose me biçikleta (për fat të mirë kemi krijuar edhe gjëra të "dobishme"). Njerëzit fillojnë të shkëmbejnë objekte me njëri-tjetrin. Është vështirë, shumë vështirë. Gjithsesi, objektet fillojnë të pakësohen, gati për të mbaruar dhe një ditë shterojnë... përhapet gjithmonë e më shumë paniku. Spitalet janë bosh, kush nuk ka vdekur është shëruar. Pa korrent kirurgët nuk mund të operojnë, gjaku ka mbaruar, aparaturat e oksigjenit nuk funksionojnë, ashensorët, kuzhinat, gjithçka ka ndaluar. Të vdekurit i varrosin kudo, hapin gropa dhe i fusin brenda. Në botë ka shumë. Mungon ushqimi për të sapolindurit, ata vdesin. Në fakt, të vegjlit dhe pleqtë janë viktimat e para. Nënë e babë shkojnë deri në fshat me këmbë ose biçikletë për të marrë një bidon qumësht për të voglin e tyre. Fshatarët largpamës kanë depozita të mëdha plot me sanë, mund të vazhdojnë përpara deri në verë, kur barërat për kafshët shtëpiake të jenë rritur përsëri. Por shumë lopë duhen therur për t‘u ushqyer dhe fushat duhen korrur me dorë dhe kjo është një punë veçse e lodhshme, por edhe me shumë më pak efikasitet në një kohë kur kërkesa është shumë e lartë. Fshatarët në vendet e industrializuara jashtë mase kuptojnë se nuk kanë kosa. Kështu që vrapojnë në "muzetë e fshatarëve" për të marrë veglat e domosdoshme që prej shumë vitesh qëndronin nën një shtresë të trashë pluhuri. Veglat aty ishin, por shumica nuk dinte t‘i përdorte... Në pranverë duhet të mbjellësh ose do të "vdesësh për të ngrënë". Disa inxhinierë ndërtojnë mullinj me erë për të prodhuar sadopak elektricitet, ndërsa disa të tjerë montojnë panelet diellore. Më atë elektricitet mund të bëhen pak gjëra. Spitalet janë mbyllur, por mjekët sidoqoftë shkojnë e vijnë. Bëjnë ndonjë ndërhyrje kirurgjikale duke i zier veglat në ujë të nxehtë dhe me kripë sipër sobave me dru të improvizuara. Por shiringat nuk mund t‘i sterilizojnë, pasi janë plastike dhe në ujë të nxehtë shkrijnë.

Gazetat nuk botohen më, makineritë nuk punojnë, kompjuterët gjithashtu. Nuk ka më informacion. Njerëzit fillojnë të flasin. Qarkullojnë lajme dhe spekulime nga më të ndryshmet. Nëpër qytete mbretëron heshtja. Nuk qarkullon asnjë makinë ose motor, vetëm njerëz në këmbë ose në biçikletë. Por ama nuk ka asnjë gram mbeturinash. Për të mbijetuar është ricikluar gjithçka, deri në sendin më të vogël. Ashtu siç tashmë nëpër rrugë nuk sheh asnjë kanoçe alumini.

Por nëpër qytete mësohet se në vendet malore gjendja është më pak alarmante dhe njerëzit po ia dalin mbanë më lehtë. Ata malësorët kanë në dispozicion pyje, preri, kampe, fusha dhe kafshë nga më të ndryshmet për t‘i gjuajtur. Dhe kështu fillojnë të ngjiten sipër. Të moçmit e maleve dinë të bëjnë ndonjë gjë me dorë dhe kështu mësojnë edhe të sapoardhurit. Dalëngadalë, ndër të vdekur dhe kaos, vjen pranvera, atë çfarë njerëzit prisnin me ankth. Me diellin e ngrohtë vjen dhe mrekullia. Gjithçka lulëzon, si në periferi po ashtu edhe në qytete. Çdo cep gjelbërohet, kopshte, fusha sportive, toka të papunuara, parqe, tarraca, shinat e trenave, madje bari fillon të zgjatet edhe nëpër trotuare. Lulëzon gjithçka dhe ato që janë të ngrënshme kultivohen me kujdesin më të madh. Në qytet nuk ka më asnjë qen, mace, madje asnjë kanarinë sikur me flori ta paguash. I kanë ngrënë të gjitha. Ndërkohë, perimet dhe frutat rriten dhe njerëzit punojnë tokat si kurrë më parë. Nuk ke nevojë të vjedhësh se tashmë gjithçka ta fal natyra dhe nuk ke nevojë të vrasësh së tashmë njerëzit po vdesin vetë. Ka vdekur tre e katërtat e planetit: nga paniku, uria dhe i ftohti. Ka nga ata që kanë vdekur nga trishtimi i humbjes së komoditetit që kishin dikur. Të pasurit bëhen të varfër dhe ata i përvishen akoma më shumë punës për të mbijetuar, sepse kanë frikë se mos vdesin.

Një kaos i vërtetë. Njerëzit nuk punojnë, pasi me lekët nuk mund të blihet asgjë. Një kilogram patate vlen më shumë se një milion lekë. Dhe të privuar nga gjithçka kishin më parë, njerëzit fillojnë të kuptojnë. Vera është një dhuratë e Zotit, nuk nevojitet zjarri dhe as që të shkojnë me pushime. Kujdesen për perimet, vijnë vërdallë për të mbledhur dhe depozituar dru për sezonin dimëror. Dalë nga dalë qytetet po kthehen në fshatra. Qytetarët fillojnë të punojnë bashkë me fshatarët. Politikanë nuk ka më. Edhe ata janë nisur drejt fshatrave duke nuhatur ajrin me gjuhë siç bëjnë nepërkat për të gjetur prenë dhe më pas fillojnë të mësojnë se si të kultivojnë perime dhe agrume dhe kafshë shtëpiake. Dikush ka punuar tokën, një tjetër po kullot bagëtinë, por kemi dikë në vështirësi, një ministër Bujqësie që nuk di se si të mbajë lopatë. Vërtet, më në vështirësi janë politikanët, nuk dinë të bëjnë asgjë, as punën më të vogël. Por nuk mund t‘u vësh faj!

Shumë qytetarë anembanë botës u janë drejtuar zonave malore ku jetohet edhe më mirë. Madje, aty po mësojnë edhe "zanatin e të mbijetuarit". Si shumë të tjerë edhe një milioner niset drejt malit ku sheh mullirin që punon me forcën e ujit. Sheh përreth fusha plot drithëra dhe fruta dhe do që të blejë gjithçka. Është mësuar të blejë gjithçka me para. Kështu që i ofron fshatarit një grusht me para, por për çfarë do t‘i duheshin paratë fshatarit? Pastaj milioneri nxjerr nga një valixhe që e mbante në biçikletë disa piktura të Van Gogut, Pikasos etj. "Ato - i thotë fshatari - as për zjarr nuk janë të mira".

Por në këtë tragjedi botërore, në këtë situatë të vështirë, të mbijetuarit, fshesarë dhe mbretër, miliarderë dhe të varfër, të mirë dhe të këqij kuptojnë se po jetojnë në një mënyrë që nuk e kishin provuar më parë, diçka që ndoshta e kanë provuar vetëm të parët e tyre: e ngadalta. Bëjnë gjithçka ngadalë. Nuk ka më makineri të punojnë për ta, madje edhe atë pak ushqim që kanë e hanë më ngadalë se zakonisht. Flenë dymbëdhjetë ose pesëmbëdhjetë orë në ditë. Ata që më parë merreshin me biznes, menaxherë, tregtarë, sipërmarrës, vishen me çfarë kanë mundësi dhe nuk i kanë më axhendat e zëna, nuk kanë pse të marrin më avionë, trena ose të lënë takime. Njerëzit nuk kanë më as zile për t‘u zgjuar nga gjumi dhe as celularë. Kanë gjithmonë uri. Askush nuk shqetësohet më. Banka dhe argjendari rrinë të hapura, pasi askush nuk prek asgjë. Ari dhe diamantet kanë më pak vlerë se mbeturinat nga të cilat të paktën mund të përfitosh zjarr për t‘u ngrohur. Kompjuterët kanë vdekur dhe askujt nuk i intereson. Pa elektricitet mbeten vetëm disa kuti në ngjyrë gri plot mister dhe pasuri të padobishme. Vetëm tani njerëzit e kuptojnë se nga sa shumë gjëra të padobishme ishin të rrethuar (të paktën në situata të tilla). Ishin droguar, dipendentë të teknologjisë. Por tashmë janë çliruar, fati i ka çliruar. Të vetëm nuk do t‘ia kishin dalë kurrë. Gjithmonë duhet të ndërhyjë një forcë e jashtme dhe supreme për të na hequr veset.

Dalëngadalë njerëzit fillojnë të mësohen me qetësinë dhe më pas ta shijojnë atë si kurrë më parë. Shkojnë e vijnë nëpër qytetet e heshtura ku nuk dëgjohen më zhurma makinash, motorësh, të bërtitura, ku nuk ka më smog dhe ndotje të shkaktuar prej veprave tona. Në qiejt e këtyre qyteteve fillojnë të rishfaqen yjet. Në netët e errëta dhe të heshtura dëgjojnë këngët e zogjve të natës. Bëjnë dashuri pa e programuar të nesërmen. Lindin fëmijë, të cilët ushqehen vetëm me gjirin e nënave. Gratë tashmë janë kthyer në luanesha. Janë bërë të forta, natyrale dhe vigjilente. Por jo të gjithë të sapolindurit mbijetojnë, por ata që ia dalin mbanë rriten të shëndetshëm.

Njerëzit zbulojnë se gjithçka që ishte zhdukur prej kohësh u kthye brenda një çasti. Ditë pas dite kuptojnë se të jetosh është si të gdhendësh. Duhet që të mos kesh për të vlerësuar atë çfarë fiton. Në kushte të tilla nuk nevojiten projektet, planet e punës, strategjitë, për këtë të gjithë flenë të qetë. Janë të gjithë të barabartë. Lindin çdo mëngjes dhe çdo mëngjes ia nisin nga ajo çfarë mbeti nga e djeshmja. Nga ajo çfarë mund të bëjnë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›