E Diel, 1 Nëntor 2026

FIBA refuzon anëtarësimin e Kosovës: Nuk janë plotësuar kushtet për pranim

Në mbledhjen e zhvilluar në Kinë më 25 prill, Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA), nuk ka aprovuar kërkesën e Federatës Kosovare të Basketbollit (FBK) për t‘u anëtarësuar pranë saj. Lajmin e ka konfirmuar edhe faqja zyrtare e organizmit më të lartë botëror të top-koshit, në të cilën citohej: "Bordi qendror i FIBA-s ka vendosur që aplikimi i FBK-së nuk mund të aprovohet, sepse bordi konsideron se Kosova nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për anëtarësim". Në anën tjetër, edhe numri një i basketbollit kosovar, Erolld Belegu, e ka konfirmuar këtë në një konferencë për shtyp, të organizuar të dielën. "Ne e kemi dërguar aplikimin për anëtarësimin në FIBA më 11 prill me e-mail. Megjithatë, FIBA, nëpërmjet faqes zyrtare, ka bërë të ditur se kërkesa jonë është refuzuar. Ne ende nuk jemi njoftuar zyrtarisht dhe jemi në pritje që të marrim sqarime rreth këtij mospranimi", deklaroi Belegu. Tejet i zemëruar për këtë vendim, ai ka thënë se me këtë që ndodhi, basketbolli kosovar ka marrë një goditje të rëndë. "Edhe për një vit, basketbollistët tanë do të garojnë të izoluar. Ky vendim i komitetit ndërkombëtar nuk është i drejtë, sepse ne nuk e meritojmë. Kosova i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim. Kush thotë që sporti nuk ka të bëjë me politikën gabon rëndë, sepse kanë të bëjnë shumë", vazhdoi ai. Sipas Belegut, arsyeja kryesore e mospranimit të Kosovës në FIBA është mosnjohja e shtetit më të ri në botë nga numri i mjaftueshëm i shteteve ndërkombëtare: "FBK-ja njihet nga FIBA si Federatë e Kosovës dhe ne kemi aplikuar në mënyrë të rregullt. Por, arsye kryesore e mospranimit tonë është mosnjohja e Kosovës si shtet i pavarur nga një numër i nevojshëm shtetesh. Unë u bëj apel qeveritarëve, e veçanërisht Ministrisë së Jashtme, të punojë sa më shumë në këtë drejtim", ka thënë kreu i FBK-së, i cili shtoi se Bordi Qendror i FIBA-s numëron 13 anëtarë nga vende të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe vetëm 7 prej atyre që e kanë pranuar pavarësinë e shpallur pak kohë më parë. Edhe pse aplikimi ishte bërë më 11 prill, ai nuk është bërë publik për opinionin. Zyrtarët e FBK-së shpjeguan se arsyeja e "aplikimit në heshtje", ka qenë moshapja e rrugëve të kundërshtarëve të Kosovës, të cilat mund të punonin kundër pranimit në FIBA.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›