Altin Lala dëmtohet në shpinë

Periudha aspak e mirë që po kalon Altin Lala duket se do të vazhdojë. Vetëm pak ditë pasi rifitoi vendin në formacionin titullar (duke luajtur 90 minuta në fitoren 3-0 që Hanoveri arriti përballë Hamburgut), mesfushori shqiptar është frenuar.
Këtë herë, jo pas zgjedhjeve teknike, por prej fatit të keq. Shkak është bërë një dëmtim në shpinë, i cili e vë në rrezik pjesëmarrjen e kapitenit kuqezi në sfidën e së premtes në fushën e Këlnit.
“Në këto javët e fundit kemi vuajtur dëmtimet e shumta të lojtarëve”, tha trajneri i Hanoverit, Dieter Heking. “Për ndeshjen e radhës në Bundesligë me Këlnin, në dyshim është Altin Lala. Ai është dëmtuar në shpinë dhe ende nuk dihet nëse do të jetë në dispozicion të skuadrës për sfidën e së premtes”.
32-vjeçari vazhdon të cilësohet si një prej pikave më të forta të Hanoveri dhe mosaktivizimi i tij nga trajneri Heking ka shkaktuar polemika në ambientet e klubit gjerman.