E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë kosovarë kanë potencial

Për dy ditë me radhë, futbollistët e rinj kosovarë kishin mundësi të stërviten me trajnerët e dy klubeve të njohura evropiane, siç janë Verder Bremen dhe Bazel.

Drejtuesi i këtij projekti, Mark-Andre Bushvalder i “SCORT”, organizata që merret me zhvillimin dhe ndihmën në futboll, tha se synimi i kampit stërvitor ishte edukimi i të rinjve të moshës 15-18 vjeç, në mënyrë që ata të fitojnë përvojë që në moshë të vogël.

“Ne kemi sjellë këtu ekspertët nga dy klube, siç janë Bazel dhe Verder Bremen, për t’i trajnuar të rinjtë. Synimi ynë është që të ndihmojmë në zhvillimin e futbollit kosovar, duke krijuar strukturat e duhura, të cilat do të vazhdojnë me edukimin e të rinjve”, tha Bushvalder, i cili konfirmoi rikthimin në Kosovë, në muajin mars 2009.

Bjorn Shierenbek, zv/drejtor i Akademisë së Futbollit të Verder Bremenit, u shpreh i kënaqur me atë që ka parë. “Fëmijët kosovarë, ashtu si edhe njerëzit në këtë vend, janë shumë miqësorë.

Ata janë shumë të motivuar dhe besoj se kanë talent. Nga ajo që pashë gjatë këtyre ditëve, mund të them se ata kanë aftësi dhe nëse punohet mirë, mund të arrijnë suksese”, tha Shierenbek.

Ndërkohë, drejtori i Akademisë së Bazelit, Beno Kaizer, nënvijëzoi rëndësinë e këtij projekti. “Ne jemi shumë të kënaqur me atë që pamë këtu. Fëmijët janë e ardhmja dhe edukimi i tyre është shumë i rëndësishëm”, deklaroi Kaiser.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›