Berni Ekleston: Asnjë komplot kundër Ferrarit

Këto janë fjalët e Berni Ekleston rreth episodit më të diskutuar në Çmimin e Madh të Brazilit, kur vetëm pak metra nga finishi, Luis Hemilton parakaloi Timo Glok dhe u klasifikua i pesti: aq sa i mjaftonte për t’u shpallur kampion bote.
Në një intervistë për gazetën “Times”, pronari i Formula 1 ka folur për xhiron e fundit në garën e Interlagosit, ku piloti gjerman i Tojotas (ashtu si edhe disa të tjerë) ecte më ngadalë pasi në makinën e tij ishin montuar goma për kohë të thatë, ndërkohë që binte shi. Në ato momente, Glok renditej i katërti, por në dy kthesat e fundit, ai u parakalua nga Fetel dhe Hemilton.
Pilotët
Në radhët e Ferrarit kishte nga ata që nuk i fshehën dyshimet se ajo që ndodhi në garë mund të ishte një komplot kundër “kokëkuqes”. Megjithatë, të gjithë pilotët, duke filluar nga Felipe Masa (i cili humbi garën për titull), kanë dalë në mbrojtje të Glok. Edhe në skuderinë e prodhuesit nga Maranelo, një pjesë e drejtuesve janë të bindur se “nuk bëhej fjalë për lojë të pisët”. Kjo erdhi pas krahasimit të kohëve që regjistronte gjermani me kohët e pilotëve të tjerë që nuk u futën në bokse për të ndryshuar gomat. Megjithatë, në imagjinatën kolektive, dyshimet qëndrojnë, mbi të gjitha te tifozët e Ferrarit.
Hemilton
Në të njëjtën intervistë, Ekleston është pozicionuar në mbrojtje të kampionit më të ri në historinë e këtij sporti, që në shumë raste është kritikuar dhe ofenduar.
“Hemilton është një djalosh i ri, që po jep më të mirën, tha 78-vjeçari, më zemërojnë pa masë ata persona që e cilësojnë ‘bastard arrogant’ dhe thonë gjëra të pakuptimta. Luis ka arritur rezultate të jashtëzakonshme, rezultate që të tjerët do ta kishin shumë të vështirë t’i realizonin. Pavarësisht kësaj, ka ende shumë njerëz që e urojnë të humbasë. Pjesa e fundit e garës? Për aq kohë sa klasifikimi përfundimtar vjen në kthesat e fundit të xhiros së fundit, nuk më intereson shumë kush shpallet fitues. Gara e Brazilit na mbajti të gjithëve në ankth, deri në metrat e fundit”.
Shumaher
Sipas Ekleston, Hemilton nuk e ka fshehur asnjëherë besimin në aftësitë e tij. “Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se të njëjtat gjëra thuheshin edhe kur flitej për Mikael Shumaher. Jam i sigurt se Hemilton do të vazhdojë të rritet, thjesht i nevojitet pak më shumë kohë. Duhet të jetë i kujdesshëm për gjërat që thotë dhe mënyrën se si prezantohet, pasi, përveç këtyre elementëve, nuk ka shqetësime të tjera”.
Kampioni i botës është një pilot anglez, por kjo nuk e garanton qëndrimin në kalendarin e sezonit të ardhshëm për garën e Britanisë së Madhe. Vitin tjetër, gara do të organizohet në “Donington Park”: nëse cirkuiti nuk do të jetë gati në kohë, atëherë Çmimi i Madh do të përjashtohet pa hezitim.
“Edhe pse Luis është kampion i botës, shpjegoi Ekleston, kjo nuk do të thotë se Anglia duhet të përfshihet në kalendarin e sezonit të ri”.