E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjan Beqaj, mbrëmja e çmendur ndaj Interit

Anorthosis Famagusta i Arjan Beqajt vazhdon të jetë “Hirushja” e Evropës. Me barazimin 3-3 në Nikosia përballë Interit, kampionët e Qipros kanë regjistruar një tjetër rezultat të jashtëzakonshëm në Ligën e Kampioneve.

Ata mbajnë vendin e dytë në Grupin B, me 5 pikë të grumbulluara në 4 ndeshje. Por, ajo e së martës nuk mund të vlerësohet si një sfidë e çfarëdoshme për portierin kuqezi.

Me dy gabime në minutat 13 dhe 44 (që sollën golat e avantazhit 1-0 me Balotelin dhe 2-1 me Materacin për italianët), Beqaj rrezikoi të shkatërronte paraqitjen e Anorthosis.

Për fatin e tij të mirë, skuadra ka barazuar shumë shpejt në të dyja rastet, madje, në të 50-ën kaloi në avantazh 3-2 me Frousos, i cili përfitoi nga gabimet fëminore të mbrojtjes zikaltër.

Pikërisht pas këtij episodi ndeshja e “gardianit” shqiptar ndryshon. Nga lojtari që “i fali” dy gola Interit, ai shndërrohet në shpëtimtarin e qipriotëve, duke evituar disa gola të sigurt. Në të 80-ën pëson golin e Kruz, që vulosi shifrat finale 3-3, megjithatë nuk lejon që skuadra e tij të dalë me humbje nga fusha.

“Portieri Arjan Beqaj ka realizuar të paktën dy mrekulli”, citonin mediat italiane. “Shqiptari nuk mund të bënte asgjë në devijimin me kokë të Kruz, që barazoi rezultatin dhe shpëtoi nderin e Interit, megjithatë frenon tentativat e Ibrahimoviç dhe Kambiasos”.

Për paraqitjen në këtë sfidë, 32-vjeçari i kombëtares shqiptare është vlerësuar me notën 6, njësoj si portieri i përfaqësueses së Brazilit, Hulio Sezar.

“Ashtu si Hulio Sezar, Beqaj klasifikohet me lehtësi si në tabelën e të dobtëve, ashtu edhe në atë të më të mirëve në fushë”, theksohej në vlerësim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›