Altin Lala mungon edhe kundër Këlnit
Hanoveri duhet të bëjë përsëri pa mesfushorin Altin Lala në sfidën e së shtunës kundër Këlnit, të vlefshme për javën e 28-të të Bundesligës gjermane. Kapiteni i Kombëtares shqiptare ende nuk është rikuperuar plotësisht pas lëndimit që ka pësuar në ligamentin e gjurit, dy javë më parë në stërvitje me skuadrën. “Jam vetëm në 70 për qind të formës fizike dhe ende nuk ndihem gati që të përballem me duelet e lojës. Kjo bën që të mos jem në dispozicion të trajnerit as për ndeshjen me Këlnin”, deklaroi 34-vjeçari. Për shkak të problemit në gju, Lala ka munguar në dy sfidat e fundit të ekipit të tij: në fitoren 2-1 përballë Ajntahtit të Frankfurtit dhe në humbjen 2-0 në fushën e Shtutgartit. Me një fitore në fundjavë, Hanoveri do të ketë më shumë shanse për të mbijetuar në elitën e futbollit gjerman.
#