E Diel, 1 Nëntor 2026

Sopoti-Burreli rikthen dhunën, Koliqi rreh vëzhguesin Velçani

Kategoria I Presidentit të Burrelit i pritet fletarresti, merren në pyetje edhe dy lojtarë

Pas disa javësh të mbushura me dyshime për fiksime rezultatesh në tavolinë, të cilat kishin bërë të harroheshin incidentet e dhunshme, si ai në derbin Dinamo-Tirana apo Gramozi-Vllaznia. Por edhe pas vendimeve të ashpra të Komisionit të Disiplinës për këto ngjarje, duket se nuk ishte e shkruar të frenohej dhuna në futboll, e cila është rishfaqur dje në mënyrën e saj më të shëmtuar. Takimi i prapambetur i vlefshëm për javën e 16 të Kategorisë së Parë, Sopoti-Burreli 1-0, i zhvilluar në qytetin e Librazhdit, është karakterizuar nga tensioni në pjesën më të madhe të 90 minutave, por në fund është mbyllur me një vëzhgues të FSHF-së të plagosur rëndë, pas dhunës barbare të presidentit të miqve, Murat Koliqi, i mbështetur edhe nga dy futbollistë të tjerë. Vlera e kësaj ndeshje kishte shumë domethënie për vendasit, të cilët renditen të fundit dhe rrezikojnë të bien një kategori më poshtë. Ndërkohë që jo më pak e rëndësishme ishte kjo sfidë për Burrelin, që e shikon veten në pjesën e dytë të tabelës dhe i nevojiten ende pikë për të siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë. Pikërisht këto të dhëna propozonin një ndeshje të tensionuar. Pritshmëritë janë realizuar: Sopoti, i cili është treguar më kërkues në pjesën e parë, ka mundur të gjejë golin e avantazhit në minutën e 23 me anë të një 11-metërshi të ekzekutuar saktë nga Hajdari. Por ky vendim i gjyqtarit është kontestuar gjatë nga miqtë. Nuk munguan as shtyrjet apo incidente të tjera të vogla. Loja ka vazhduar dhe pjesa e dytë ka kaluar pa probleme të theksuara, edhe pse me pak nervozizëm. Në fund të ndeshjes, në momentin kur vëzhguesi Sazan Velçani po hynte në dhomat e zhveshjes, presidenti i Burrelit, Murat Koliqi, dhe dy futbollistë të skuadrës, njëri prej të cilëve Neli, e kanë rrahur zyrtarin e FSHF-së. Sipas dëshmitarëve okularë, Koliqi e ka goditur barbarisht me grushte të dërguarin e federatës: “Ishte njësoj sikur po gjuante një thes boksi dhe jo një person”. Vëzhguesi Velçani ka përfunduar në spitalin e Librazhdit, ku ka qëndruar i shtruar deri në orën 18.00, për shkak të plagëve në kokë dhe në trup. Ndërkohë që forcat e rendit kanë shoqëruar në komisariat agresorët: presidentin Koliqi dhe dy futbollistët. Sipas burimeve të sigurta pranë Policisë së Librazhdit, dy lojtarët janë marrë në pyetje dhe janë lënë të lirë, ndërkohë që presidentit të Burrelit, të konsideruar edhe si protagonisti kryesor, i është prerë fletarresti dhe do të jetë në pritje të marrjes së masës së sigurisë. Ndërkohë që kjo ngjarje pritet të marrë një ndëshkim të rëndë edhe nga Komisioni i Disiplinës në FSHF, që duket se nuk do të kursejë edhe kësaj radhe “dorën e hekurt” kundër dhunës në futboll.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›