Mesjavë e dobët për shqiptarët në Ukrainë
Mesjava ka qenë mjaft e keqe për futbollistët shqiptarë që militojnë në kampionatin ukrainas. Të mërkurën në Vyscha Liga u luajtën pesë ndeshje të prapambetura të javës së 13-të, ku në fushë kanë zbritur Vorskla Poltava e treshes kuqezi Curri, Dallku e Januzi, por edhe Krivbas Krivji Rig i Agollit, Hidit e Bylykbashit. Vorskla humbi me rezultatin 2-0 në fushën e Arsenalit të Kievit, ndërsa futbollistët shqiptarë janë aktivizuar gjatë gjithë 90-minutëshit. E dobët paraqitja e “legjionarëve” të Krivbasit, që u mposht me shifrat 3-1 në derbin e zhvilluar në shtëpinë e Dnipro Dnipropetrovskit. Bylykbashi, i aktivizuar si titullar, qëndroi në fushë vetëm 31 minuta, ndërsa Agolli, i aktivizuar prej fillimit të pjesës së dytë, u zëvendësua në të 83-ën. Portieri Isli Hidi ishte vetëm në stol.
#