Shkumbini, me një këmbë në finale
Shkumbini bën një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për herë të parë në histori në finalen e Kupës së Shqipërisë. Skuadra e drejtuar nga Përparim Daiu ka barazuar 1-1 në fushën e Besës, në takimin e parë gjysmëfinal dhe tashmë i ka të gjitha shanset që më 9 maj të pretendojë triumfin në trofeun e dytë për nga rëndësia në vend dhe “biletën” e fundit drejt kupave të Europës. “I kishim të gjitha mundësitë që të shënonim gola të tjerë dhe ta fitonim këtë ndeshje. Nuk do të ishte çudi nëse Shkumbini do të kishte dalë nga loja me një rezultat më të mirë”, deklaroi tekniku i peqinasve, Daiu. Gjithsesi, ai ka kërkuar të largojë entuziazmin nga të tijtë: “Jemi pranë kualifikimit, por Besa është një kundërshtar cilësor dhe në Peqin na pret një ndeshje e vështirë. Kemi avantazhin se gjithçka do të vendoset në fushën tonë, ku do të kemi edhe mbështetjen e tifozerisë së zjarrtë”. Shkumbini kaloi shumë shpejt në avantazh, falë golit të realizuar nga Bakiu, kur kronometri tregonte vetëm pesë minuta lojë. Vendasit kanë vuajtur goditjen e papritur dhe e kanë pasur shumë të vështirë të dalin në lojën e tyre, ndoshta edhe për shkak të terrenit jo të favorshëm. Gjithsesi, Besa ka barazuar shifrat në të 26-n me rrjetën e Daniel Xhafajt. Në pjesën e dytë, kavajasit janë shfaqur konfuzë dhe të pafuqishëm për të shënuar golin e avantazhit, ndërsa ishin peqinasit, ata që regjistruan shanset më të mira për të dyfishuar shifrat. Në 10 minutat e fundit të takimit, miqtë kanë rrezikojnë disa herë me Shenajn e Gjylën, të cilët nuk arrijnë të mposhtin portierin Shehi. Pavarësisht barazimit dhe paraqitjes jo në nivelin e kërkuar, trajneri Shpëtim Duro u shpreh optimist për shanset e verdhezinjve që të arrijnë në finale. “Goli i shpejtë ishte një goditje e fortë në aspektin psikologjik, por pas barazimit, në pjesën e dytë skuadra nuk u shfaq aq agresive sa unë prisja”, tha drejtuesi i stolit të Besës. “Besoj se mund të kishim bërë më shumë, të paktën për të shënuar edhe një tjetër gol. Gjithsesi, mendoj se rezultati ishte pozitiv dhe kemi 50 për qind shanse për t’u kualifikuar”.
Sfidë e ndezur ka qenë edhe ajo që u luajt në “Niko Dovana” të Durrësit. Teuta fiton 1-0 në “raundin” e parë me Vllazninë, falë golit të kapitenit Vangjel Mile, në sekondat e fundit të pjesës së parë. Një rezultat pozitiv, i cili lë shanse të mira kualifikimi për “djemtë e detit”. “Kupa ka një specifikë të veçantë: në këto ndeshje është e rëndësishme të shënosh në takimin e parë dhe gjithashtu të mos pësosh. Ne i realizuam këta objektiva dhe mendoj se rezultati është mjaft i favorshëm. Me pak kujdes, besoj se do të jemi në finale”, deklaroi trajneri i Teutës, Ylli Shehu. Në këtë përballje nuk ka munguar tensioni dhe kartonët e kuq: një për vendasit dhe dy për miqtë. Në të 56-n, gjyqtari Kridens Meta ka larguar nga fusha Dushkun e Teutës dhe Mvraljeviç të shkodranëve, ndërsa në minutën e 62, në dushe përpara kohe ka shkuar edhe sulmuesi anglez i kuqebluve, Feniks. Pavarësisht humbjes, trajneri Edi Martini beson se Vllaznia e tij mund të kualifikohet. Ai deklaroi: “Në këtë ndeshje shfaqëm shenja lodhjeje, por morëm një goditje shumë të rëndë në momentin kur mbetëm me nëntë lojtarë në fushë. Ishte një sfidë e çuditshme, ku nuk flitej më për të shënuar, por të mos pësuar gola të tjerë. Kemi edhe 90 minuta, luajmë në fushën tonë dhe jam i bindur se mund të shkojmë në finale”.