Altin Rraklli: Me De Biazin, ne do ishim kualifikuar
Ish-sulmuesi i kombëtares flet për eksperiencën me kombëtaren e femrave dhe për mundësitë që ka kombëtarja e meshkujve për të shkuar në Brazil 2014
Ai është një nga sulmuesi që ka bërë më shumë emër në kombëtaren shqiptare. Tani ai është 42 vjeç dhe drejton kombëtaren e femrave. Atë që nuk e bërë me kombëtaren e meshkujve duket se do ta bëjë realitet me femrat. Por kjo është vetëm një shpresë thotë Altin Rraklli pasi kombëtarja shqiptare e femrave nuk mund të pretendojë ende pjesëmarrjen në një botëror.
Futbolli i femrave të vendit tonë ka bërë bujë pas kualifikimit në eliminatoret e botërorit Kanada 2015. Të besuarat e Rrakllit nuk njohim akoma humbje, por trajneri është shumë realist dhe thotë se akoma nuk kanë pasur kundërshtarë të fortë në përballjet e tyre. Megjithatë ai shprehet shumë i kënaqur me progresin e bërë në një kohë kaq të shkurtër.
Rraklli flet edhe për kombëtaren e meshkujve, me të cilën ka shënuar edhe 11 gola në vitet 1992-2005. Ai flet me superlativa për trajnerin e kombëtares duke nënvizuar se, ka grumbulluar shumë lojtarë cilësore dhe skemat e tij kanë rezultuar shumë të suksesshme, dhe me shaka shton se, po ta kishim pasur ne në kohën tonë atë, do të ishim kualifikuar të paktën një herë në garat ndërkombëtare.
Për mundësitë për të shkuar në Brazil, Rraklli shprehet se, ka një shans real për ta arritur këtë pasi kombëtarja ndodhet në pozitat më të mirë në histori. Ai vlerëson ndeshjen me Norvegjinë si deçiziven.
1) Si u ndjetë kur ju erdhi ftesa për të drejtuar ekipin kombëtar të futbollit të femrave ? A u menduat dy herë para se të pranonit?
Unë kisha kohë që angazhohesha duke trajnuar ekipet e femrave. Jam shpallur disa herë kampion i Shqipërisë me vajzat e Tiranës. Kur mësova se do të krijohej një ekip kombëtar për femra , komunikova menjëherë me presidentin e federatës zotin , Armando Duka. Të dy ramë dakord që unë të bëhesha trajner i kësaj skuadre të re kombëtare që po krijohej.
2) Në shumë pak kohë keni arritur të krijoni një grup mjaft cilësor dhe solid. A ishte e vështirë grumbullimi i lojtareve?
Grumbullimi ka qenë jashtë mase shumë i vështirë. Kjo ndodh pasi futbolli i femrave në vendin tonë është akoma në fillimet e tij dhe ka shumë pak lojtare me kualitet dhe të afta për ta përfaqësuar skuadrën në nivele ndërkombëtare. Kështu që u detyruam ta bazojmë grumbullimin në trekëndëshin Shqipëri-Kosovë-Diasporë.
Kemi gjetur lojtare shumë cilësore në shumë pak kohë. Pas kualifikimit në eliminatore mund të afrojmë edhe dy lojtare që luajnë në ligën amerikane. Dua të falënderoj Federatën , presidentin e Republikës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që pajisën në kohë rekord lojtaret e ardhura nga jashtë me pasaporta shqiptare.
3) A janë përshtatur lehtësisht vajzat në skuadër?
Edhe përshtatja ka qenë e vështirë pasi lojtaret vijnë nga vende të ndryshme , me kultura dhe stil të ndryshëm loje. Por mua më pëlqen fakti që ato kanë dëshirë , pasion dhe vullnet maksimal për të mbrojtur ngjyrat e vendit të tyre. Me kalimin e kohës gjithçka do të përmirësohet pasi jemi akoma në hapat e parë të një odiseje.
4) A jeni i kënaqur me ekipin deri në momentin që flasim?
Me kohën e shkurtër që kemi pasur në dispozicion dhe me vështirësitë e shumta të gjetjes së lojtareve dhe grumbullimit të tyre jam shumë i kënaqur me ekipin. Pavarësisht disa gabimeve të vogla që kemi bërë në lojë, mund të them se jemi mirë por kemi akoma punë për të bërë në mënyrë që të përmirësojmë akoma më shumë lojën tonë.
5) Kombëtarja e femrave mori pjesë për herë të parë në një fazë para-eliminatore duke e kaluar atë. Sa mendoni se janë shanset që Shqipëria të jetë pjesëmarrëse ne “Kanada 2015″?
(Qesh) Me sa duket publiku nuk është shumë mirë i informuar me gjendjen e skuadrës. Ne me të vërtetë kemi bërë hapa të mëdha ,por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kemi një grup mjaft të vështirë ku mjafton të përmendim Holandën dhe Norvegjinë të cilat janë në majat e futbollit të femrave në botë.
Ne do të japim maksimumin tonë në fushë por shpresat për kualifikim nuk janë të mëdha. Objektivi im si trajner në këto eliminatore është që të paktën të lëmë disa ekipe poshtë nesh në renditje. Kam shpresë se mund të mundim Greqinë dhe Portugalinë. Nëse ekipit mund ti afrohen edhe disa lojtare të tjera cilësore mund të dalim edhe më mirë.
6) Sipas jush cila është lojtarja me më shumë peshë në skuadër?
Unë dua të them se suksesi që arritën u përket të gjithëve,por unë mund të dalloj disa lojtare të cilat bënë diferencën. Në repartin e mbrojtjes dalloi Albina Rrahmani. Në mesfushën e lojës spikatën Dafina Memedov dhe Furtuna Velaj dhe në sulm Suada Jashari e Elvana Curra. Këto lojtare kanë mbajtur peshën e ekipit.
7) Sa i njihni kundërshtarët? Norvegjia është të paktën ekipi me më shumë trofe dhe lavdi ne grup.Kë shikoni si rivalin kryesor?
I njoh mjaftueshëm kundërshtarët e mi. Thashë dhe pak më lart që Norvegjia dhe Holanda janë dy skuadra shumë të mira. Ato luajnë një futboll bashkëkohor ndikuar edhe nga fakti që ekipet e tyre kanë 40 vite që janë krijuar. Na presin disa përballje të vështira me këto ekipe por do të japim maksimumin tonë. Shpresoj të dalim mirë. Si rivalë që duhet të mposhtim unë shoh Greqinë dhe Portugalinë. Ky është objektivi që unë i kam caktuar vetes si trajner.
8) Me sa duket si ekipi meshkujve dhe ai i femrave kanë një ngritje pozitive në nivelin e tyre. Si e komentoni ju këtë përmirësim?
Po është e vërtetë. Unë si ish-lojtar i kombëtares gëzohem që futbolli jonë është përmirësuar shumë. Shoh shumë lojtar cilësor të cilët janë grumbulluar dhe janë përshtatur mjaft mirë me skuadrën. Edhe skuadra e femrave ka arritur të bëjë një hap gjigant përpara. Merita është padyshim e trajnerit , e federatës , e të gjitha stafit drejtues dhe padyshim lojtarëve.
9) A është De Biazi trajneri më produktiv qe ka pasur ndonjëherë Shqipëria?
E shoh De Biazin me shumë admirim dhe mund të them pa frikë se ka qenë trajneri më i mirë i kombëtares në vitet e fundit. Ai ka grumbulluar shumë lojtarë cilësore dhe skemat e tij kanë rezultuar shumë të suksesshme. Po ta kishim pasur ne në kohën tonë atë, do të ishim kualifikuar të paktën një herë në garat ndërkombëtare.(Qesh)
10) Kombëtarja e meshkujve ndodhet në një pozitë jo të keqe për të qenë pjesë e botërorit “Brazil 2014″. Mendoni se do realizohet kjo ëndërr?
Mendoj se ky është shansi më real për kualifikim që kemi pasur në gjithë historinë e ekipit tonë kombëtar. Kemi një ndeshje mjaft deçizive kundër Norvegjisë në shtëpinë tonë. Megjithëse luajmë me mungesa si Cana apo Lila unë shpresoj që të dalim mirë në këtë ndeshje. Kam besim se djemtë do tia dalin. Shpresoj me gjithë zemër që ëndrra e madhe e gjithë sportdashësve shqiptarë të realizohet dhe ju uroj shumë suksese.