E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amaneti i xixëllonjave

Mbrëmë kam parë në vetmi një xixëllonjë. Ishte në një shkurre afër parkut të Liqenit artificial, aty kishte bulktha dhe ndonjë gjinkallë që qaravitej përpara së të ngordhte bashkë me vapën e verës. U afrova i habitur, me besimin se ishte një cipë lëbyrse, ose një fije drite artificiale; një xixëllonjë, në vjeshtë... nostalgjia mund të japë halucinacione mikroskopike. Megjithatë ajo ishte aty, e druajtur dhe e humbur. Kisha të paktën dhjetë vjet pa parë një xixëllonjë (live). Për herë të fundit i kisha parë fëmijë dhe më dukeshin të mrekullueshme netëve të shtatorit; mbaj mend, si në një ëndërr, një shëtitje nga darka e fillimqershorit; ne fëmijët para dhe të mëdhenjtë nga prapa, bashkë me ne disa yje sipër kokave që vallëzonin me gardhet aty-këtu. Vetëm shikoni se mos provoni t’i kapni, sepse ato u shuhen në dorë, na thoshin nënat tona. - E më pas, ajo era e freskët, e fortë e pishave, bredhave halorë dhe ç’ka ishte më magjepsja se një qiell plot yje, në sfond dëgjoheshin gumëzhimat e grillave që mbushin errësirën. Më pas nuk i kam parë më për shumë vjet, dhe besoja që ishin zhdukur. Por ja që i pashë një natë në Kashar, dhe më pas në Baldushk, në sheshpushimin e malit të Dajtit  dhe së fundmi në Liqenin Artificial, ku kishte me shumicë ndërsa ngjiteshe drejt lapidarit, përpara se njerëzit me pushtet të vendosnit t’i qëllonin me drita të gjata verbuese, duke i masakruar xixëllonjat dhe magjepsjen që sjellin. Pastaj nuk i kam parë më dhe kam besuar prapë se ishin zhdukur. Tani e gjeta një, emigrante dhe e dalë jashtë stinës, por nuk e gjeta rastësisht.

E kërkova në një natë të vetmuar fund shtatori, duke hyrë në fshat pasi kisha lexuar gjithë ditën shkrimtarin italian Pasolini dhe dy javë më parë pata dëgjuar në Romë Georges Didi-Huberman, një filozof arti, që tregonte rikthimin e xixëllonjave po të Pasolinit në qendër të Romës. Por për emulacion personal të personazheve dhe vendeve të librave, Romën e ktheva në Tiranë. Sidomos kur më pas kisha dëshira të thurja një shkrim për t’u rreshtuar në radhë për të përqafuar bashkë me të rikthimin triumfues të xixëllonjave në qytet. Por nuk është tamam kështu, ato në të vërtetë ishin një grup i vogël anës pemëve të liqenit, të mbijetuarat e vogla të një kohe të lashtë e natyrore; por në të vërtetë ato nuk janë zhdukur - ndoshta i kanë eliminuar disa - ndoshta sot janë të zbehura nga pluhuri e përdorin llambushka me një përdorim të ulët energjetik të mposhtura në qytete nga dritat artificiale. Nejse, duke biseduar për Tiranën i tregova edhe për riardhjen e xixëllonjave, pasi heshti duke dëgjuar, intelektuali francez e lidhi rikthimin e xixëllonjave si një metaforë aluzive të ndonjë ndryshimi politik. Didi-Huberman e lidhi rikthimin e xixëllonjave me njëfarë rezistence që natyra i bën çimentifikimit vezullues e përcëllues të qyteteve të mëdha. Me maninë për t’i treguar se unë dija diçka, i citova Pasolinin, kur xixëllonjat ishin zhdukur përpara se të hapej super-politika e çimentos do kudo. Por nuk e zgjas me këtë ndërlidhje groteske të natyrës dhe politikës, midis poezisë dhe natyrës. Preferoj të mbaj kujtimet e fëmijërisë dhe ndoshta pak më vonë trillimet e kukullave vizatimorë.

Mirëpo kam dyshimin se Didi-Huberman nuk i interesonte për xixëllonjat e Tiranës, por për njerëzit si Pasolini dhe Markuse. Pasolini - gjithmonë sipas Didit - ua atribuonte zhdukjen e tyre ndotjes mjedisore, dritave artificialë dhe konsumimit pa dallim të kapitalizmit të ri dhe propozonte një këmbim të dëshpëruar: “Do të digjja vetën, vetëm xixëllonjat të kthehen”. Por me kohën që ecën pa pyetur askënd edhe Pasolini u nda në mënyrë misterioze me natyrën dhe kapitalizmin pa kthyer mbrapsht të kaluarën mitike. Ndër libra nënkuptohet se do të kishte dashur të jepte përparimin në këmbim të një rikthimi të natyrës dhe poezisë së saj zanafillore. E dimë shumë mirë se asnjë sot nuk do të qëndronte pa televizion, pa telefon dhe ndoshta pa kompjuter, vetëm për ardhjen e xixëllonjave; por zemërohesh duke parë që progresi bën një gjenocid ndaj xixëllonjave dhe mushkonjave. Edhe në natyrë, dhe jo vetëm midis njerëzve, ndodh që njerëzit e pambrojtur dhe të shndritshëm ta humbasin sfidën me jetën dhe t’u thithet gjaku, si gjatë diktaturave.

Humbja e xixëllonjave, për një poet të ri, është simboli i një degjenerimi, një metaforë e shkatërrimit të një natyre që nuk është më. Ndoshta nuk kanë të drejtë, që qahen për të shkuarën e afërt, që me një pasion të theksuar obskurantist “luftonte” qytetërimin e Lumierëve, që kinse përdhunonte e vriste magjinë e proletariatit, që në të vërtetë ishte magjia e errësirës shqiptare. Nostalgjia është një sentiment aq i dashur që i hap zemrën mitit dhe poezisë; bëhet e dëmshme dhe e thartë kur hyn në politikë. Atëherë nga një sentiment behet një mëri dhe pretendon pastaj që zhdukjen t’ia faturosh dikujt.

Intelektualit francez që i shikon xixëllonjat si “fanar ndriçues”, m’u desh t’i rrëfeja një tregim të përdhunuar sufi apo kinez - nuk e mbaj mend. Një zotëri që kërkonte në një Pub të ish-Bllokut - i mbushur plot me drita - orën prej floriri që e kishte humbur; pas disa kërkimesh të kota, e pyetën nëse ishte i sigurt që e kishte humbur tamam-tamam brenda Bllokut. Ai u përgjigj: “Jo, e kam humbur në Liqenin Artificial, por e kërkoj këtu se ka më shumë dritë”. Por kjo nuk është e re, më tha filozofi i arti francez, ma ka thënë edhe një shqiptar tjetër, një piktor egoist që banonte poshtë urës së Senës, por pak ndryshe, se ai orën e kishte gjetur më të vërtetë. Zemra tani i bën nga kurdisja tik-tak. Unë për kureshtje e pyeta se si e kishte emrin, por më tha se nuk e tregonte.

Por po ju jap disa pista hetimi. E para ka larguar nga Tirana xixëllonjat me çimentifikimin e kryeqytetit, bashkë edhe me Shqipërinë shkëmb graniti. E dyta është aksioner me kuota të larta në stresin tonë të përditshëm politik. Është ekstravagant në veshmbathje dhe puthje. Puthitet në tavan e në kazanet e plehrave të reja.

Aneksi i amanetit/Ndoshta është më mirë që t’i kërkojmë xixëllonjat në errësirën e lashtësisë dhe magjinë zanafillore bashkë me fëmijërinë tonë të papërsëritshme sesa në kokëfortësinë e kërkimit atje ku është e lehtë ta kërkojmë por  ku është e  pamundur ta gjejmë. Shkova pas gjysmë ore në vendin ku e kisha parë. Shkurrja heshte, gjinkalla ishte arratisur, vjeshta kishte marrë dashezën dhe po vjen shpejt.. Xixëllonja nuk ishte më, ndoshta nuk ka qenë kurrë aty. Por drita e saj më ka mbetur brenda në shpirt.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›