Zhvendosja e mburojës raketore dhe statika e interesave

Njëra nga l
ëvizjet më me ndikim në politikën e jashtme e administratës së re amerikane që nga ardhja e presidentit amerikan Obama në krye të saj ishte heqja dorë nga jetësimi i planit të administratës së mëparshme lidhur me vendosjen e mburojave raketore nga Evropa Qendrore, konkretisht nga Polonia dhe Republika Çeke. Rusët qysh nga fillimi ishin kundër këtij plani dhe këtë e shfaqën jo vetëm një herë dhe në mënyra të ndryshme. Ata shkuan edhe më larg, thjeshtë duke kërcënuar se do të ndërmarrin veprime të ngjashme për t’u mbrojtur, sepse, pavarësisht nga shpjegimet e amerikanëve këto veprime i konsideronin kërcënim direkt ndaj sigurisë së tyre. Arsyetimi për këtë ndryshim të madh nga administrata e re, ishte se kërcënimi i Iranit nuk shkon aq larg, sepse raketat e lansuara iraniane janë me reze të mesme veprimi e jo me reze të gjata, sikundër kishte menduar administrata e Bushit. Shumë analist dhe pushtetar konstatuan se nuk ishte kjo, as fakti se kjo mburojë do të kushtonte shtrenjtë, por në të vërtetë ishte pakënaqësia e rusëve ajo që shtrëngoj amerikanët të ndryshojnë politikën e tyre. Përkundër kësaj duket se amerikanët këtë tërheqje nuk e bënë nga frika apo se kështu do t’u mbetet hatri rusëve, por thjeshtë kjo u bë nisur nga një kalkulim pragmatik gjeostrategjik. Pasja e Rusisë në anën e tyre, për administratën e re të Obamës amerikanëve, apo së paku sigurimi i neutralitetit rus karshi qasjes ndaj Iranit edhe Afganistanit, ishte më dobiprurës sesa kërcënimi jo fort i mundshëm ndaj Evropës Qendrore. Në të vërtetë kalkulimi u thjeshtësua, më mirë të kihet Rusia përkrah, në pikën gjithnjë e më të nxehtë e më të rëndësishme të krizës, konkretisht të shfrytëzohet territori i saj për furnizimin e trupave amerikane në Afganistan, apo së paku të amortizohet mospajtimi rus, me rastin e vendosjes së sanksioneve ekonomike dhe të tjera kundër Iranit, sesa ajo të ndihet e kërcënuar me vendosjen e mburojave raketore në Evropën Qendrore. Se rusët nuk po forcohen, sado që ata nuk janë duke u dobësuar në këto sfera dhe se amerikanët nuk po lëshojnë pe nga frika apo dobësimi i mundshëm, më së miri argumentohet me faktin se tërheqje amerikane, thjeshtë është në kuadër të gjeopolitikës së administratës së re, me ç’rast Obama paqësor konsideron se bën riparime përmbajtjesore në politikën e jashtme e cila në kohën e administratës së më hershme, kishte parapëlqyer të bënte intervenime ushtarake në vatra të ndryshme të krizës. Por duket se të jesh njeriu i parë i Shtëpisë së Bardhë nuk është aspak e lehtë të jesh prore njeri me degën e ullirit në dorë. Luftimi dhe parandalimi i terrorizmit global, sikundër edhe kontrolli dhe parandalimi i shteteve të ndryshme jo demokratike për të prodhuar armë bërthamore e bëjnë këtë posaçërisht të vështirë. Sfida më e madhe e Obamës për këtë i vije nga shteti tash sa kohë problematik - nga Irani. Irani ka kohë që ka filluar të punoj në këtë drejtim dhe do që me çdo kusht të bëhet forcë e re me armë bërthamore. Iranianët konsiderojnë se momenti më i mirë për ta konkretizuar këtë qëllim është tani. Tani, sepse ata janë të vetëdijshëm se Obama nuk mund të vazhdoj si Bushi. Ata e dinë se Bushi ka shpenzuar shumë nga kapitali politik amerikan i akumuluar me vite, si një forcë e madhe që përhapte demokraci dhe paqe nëpër botë. Administrata e re amerikane, konkretisht Obama, është i vetëdijshëm për këtë, prandaj dëshiron që ta bëjë të kundërtën nga Bushi duke konsideruar se politika paqësore, dialogu dhe bashkëpunimi do ta risin mu këtë kapital të shpenzuar. Çfarëdo intervenimi i ri ushtarak i administratës së re amerikane do të kishte efekte të kundërta me këtë qasje të re të Obamës. Për rrjedhojë është kjo gjendje e krijuar ajo që po e trimëron liderin iranian Ahmedinexhat të vazhdoj me planet e tija bërthamore. Kjo po e vë në pozitë të sikletshme administratën Obama.
...