E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, e angazhuar për plotësimin e kushteve për integrimin evropian

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje në takime të veçanta Ambasadorin e Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio, Ambasadoren e Zvicrës, Yvana Enzler, Ambasadorin e Gjermanisë, Berndart Borchard.

Në qendër të takimeve ishin marrëdhëniet miqësore të Shqipërisë me keto vende dhe forcimi i tyre në të ardhmen, procesi i liberalizimit të vizave dhe ai i marrjes së statusit kandidat në BE.

Meta vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Spanjës dhe shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për t’i zgjeruar ato më tej, veçanërisht në kuadrin e proçesit integrues të Shqipërisë në BE.

Ambasadori Montobbio i shprehu Metës mbështetjen që “Presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian do t’i japë Shqipërisë gjatë procesit të liberalizimit të vizave dhe veçanërisht për marrjen e statusit kandidat” si dhe e siguroi për “bashkëpunimin e Spanjës në kuadër të Procesit të Barcelonës, Euromed-it dhe Aleancës së Civilizimeve”.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, dhe Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Yvana Enzler, vlerësuan në takimin midis tyre nivelin shumë të mirë  të marrëdhënieve dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Zvicrës.

Meta e falënderoi Ambasadoren Enzler për “mbështetjen që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë në fushën e bujqësisë, energjetikës, arsimit profesional,  dhe shëndetësisë” si dhe shprehu vullnetin e Qeverisë shqiptare për t’i zgjeruar më tej ato.

Ambasadorja Enzler rikonfirmoi mbështetjen e mëtejshme të Zvicrës për Shqipërinë si dhe i dorëzoi Meta telegramin e urimit të Ministres së Punëve të Jashtme të Konfederatës së Zvicrës, Micheline Calmy-Rey.

Marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe bashkëpunimi dypalësh ishin çështjet kryesore që u diskutuan gjatë takimit që Zëvendëskryeministri Meta pati me Ambasadorin e Gjermanisë në vendin tonë, Berndt Borchard.

Ministri Meta e falënderoi Borchard për mbështetjen që Gjermania i ka ofruar Shqipërisë deri tani dhe shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh në nivelin politik dhe ekonomik, duke nënvizuar se “Gjermania është një kontributor kryesor në ekonominë shqiptare”.

Ambasadori Borchard e siguroi Meta për mbështetjen që Gjermania do vazhdojë t’i ofrojë Shqipërisë dhe theksoi gjithashtu vlerësimin e Gjermanisë për rolin konstruktiv që Shqipëria po luan në rajon.

Ilir Meta i bën thirrje Sirisë dhe Egjiptit, që të njohin pavarësinë e Kosovës/Ministri i Punëve të Jashtme, zhvilloi dhe një seri takimesh me ambasadorë në vendin tonë. Meta priti dje në një takim ambasadoren e Republikës Arabe të Sirisë në Shqipëri me rezidencë në Athinë, Houda Al Houmsi dhe Ambasadoren e Republikës Arabe të Egjiptit në Shqipëri Amina Imam Gomaa. Në qendër të takimeve ishin marrëdhëniet miqësore të Shqipërisë me këto vende dhe forcimi i tyre në të ardhmen, procesi i liberalizimit të vizave dhe ai i marrjes së statusit kandidat në BE. Gjatë takimit me Ambasadoren e Republikës Arabe të Sirisë në Shqipëri me rezidencë në Athinë, Houda Al Houmsi, Zëvendëskryeministri Meta diskutoi për marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, zgjerimi i mëtejshëm i tyre dhe njohja e Kosovës ishin çështjet kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi. Ministri Meta vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve tona mike me lidhje te hershme historike dhe theksoi rëndësinë e “plotësimit të kuadrit ligjor për marrëveshjet e ndryshme të cilat janë paraqitur nga Shqipëria kohë më parë dhe që i hapin rrugë një bashkëpunimi shumë të gjerë në të gjitha fushat”.

Gjithashtu, duke theksuar që “numri i shteteve qe do njohin pavarësinë e Kosovës brenda pranverës së ardhshme do jetë mbi 100”, i kërkoi Ambasadores Al Houmsi që “edhe emri i Sirisë të jetë pjesë e kësaj liste shtetesh”.

Ambasadorja Al Houmsi, falënderoi Metën për vlerësimin e nivelit të marrëdhënieve dypalëshe, duke premtuar se, “Siria do të jetë shumë e gatshme për të bashkëpunuar me qeverinë e re shqiptare dhe do të përshpejtojë përfundimin e  procedurave ligjore të marrëveshjeve që janë në proces”.

Gjithashtu, Ambasadorja Al Houmsi shprehu dëshirën për të ftuar z. Meta sa më shpejt në Damask për firmosjen e këtyre marrëveshjeve dhe për t’i dhenë një shtytje më të madhe marrëdhënieve mes dy vendeve.

Dhe gjatë takimit me Ambasadoren e Republikës Arabe të Egjiptit në Shqipëri Amina Imam Gomaa dhe ministri Meta folën për marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, zgjerimi i mëtejshëm i tyre dhe njohja e Kosovës ishin çështjet kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi.

Meta vlerësoi lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Egjiptit, rolin e Egjiptit në botën arabe duke theksuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe shprehu “gatishmërinë  për t’i zgjeruar ato më tej, në të gjitha fushat e bashkëpunimit”. Gjithashtu, Meta i shprehu Ambasadores Gomaa, “dëshirën për të parë Egjiptin të rreshtuar në anën e shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që do i shërbejë stabilitetit të rajonit”. Ambasadorja Gomaa falënderoi Metën për marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe duke vlerësuar arritjet e vendit tonë, shprehu dëshirën për zgjerimin e mëtejshëm të tyre. Ajo u shpreh se “qeveria egjiptiane po i ndjek me vëmendje zhvillimet në rajonin tonë, veçanërisht në Kosovë si dhe qëndrimet e shteteve të ndryshme ndaj njohjes së pavarësisë së saj”.

Meta - Mingova Krepieva: “Shqipëria mirëpret reflektimin për rishikimin e Enciklopedisë maqedonase”/Një takim ministri i Jashtëm Ilir Meta, zhvilloi dhe me Ambasadoren e Maqedonisë Blagorodna Mingova-Krepieva. Në qendër të bisedimeve ishte marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve, fqinjësia e mirë dhe procesi i përbashkët integrues në BE, ishin çështjet kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi.

Meta vlerësoi nivelin shumë të mire të marrëdhënieve bashkëpunuese si dhe kontaktet dinamike të nivelit të lartë politik mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Më tej, Meta përsëriti qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj botimit të Enciklopedisë Maqedonase duke u shprehur se, “Shqipëria mirëpret reflektimin lidhur me rishikimin e kësaj Enciklopedie dhe do të donim që të gjithë në Maqedoni të investohen për më tepër tolerance dhe përgjegjshmëri, duke patur parasysh të ardhmen tonë të përbashkët”.

Ambasadorja Mingova-Krepieva i përcolli Metës edhe një herë urimet e Ministrit të Punëve të Jashtëm Maqedonas dhe theksoi se, “bashkëpunimi dypalësh duhet të synojë jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve bilaterale por edhe në çështje që lidhen me axhendën e përbashkët rajonale të integrimit evropian”. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›