E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt protestës-karikaturë të 10 tetorit

Izolimi i vendit është perspektiva më e mirë për një strukturë që pretendon të mbijetojë e izoluar, siç është grupimi ylberist i Edvinit. Frymëzimi marksist-leninist, por edhe shembulli më i freskët i Mao Ce Dunit paraqiten si perspektivë për një të majtë që është më e interesuar për t’u çliruar nga një aventurier që s’ka asgjë të përbashkët me politikën. Historia e vjetër dhe e re e PS-së konfirmon dështimin e protestës së 10 tetorit, pasi anëtarësia socialiste është e interesuar për integrimin e vendit në BE dhe jo për orientimin e tij drejt aleancave sllavo-aziatike

Tashmë nuk ka më kohë se edhe vendimi i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave po afron dhe porositësit aziatikë të izolimit të Shqipërisë kërkojnë rezultate. Edvini e ka marrë mesazhin dhe ka vendosur që organizatën e vet politiko-ekonomike ta nxjerrë në shesh me të gjithë entourage-in ylberist që i ka mbetur, pas rrënojës së 28 qershorit. 10 tetori është data e duhur, është një mesazh i mirë për evropianët që do të mblidhen me 15 qershor për ta çertifikuar Shqipërinë si një adresim i rëndësishëm për zgjerimin e hartës së unionit. Por Edvini ka një tjetër axhendë politike, ekonomike e familjare. Ai është fort i interesuar që vendi të bllokohet në kursin e vet të reformave, pasi do të mund të çimentonte plevicën politike që ka uzurpuar pas dështimit të Fatos Nanos në 2005-n, por para së gjithash edhe se do të rriste nivelin e gjobave për rajatë e industrisë së ndërtimit që ka nën hyqëm. Për këto synime, Edvinit i duhet një shkundje dhe frymëzimi, shembulli, por edhe përvojat - të mira a të këqija qofshin - i vijnë nga lëvizje komuniste e marksiste-leniniste, për të kulmuar tek shembujt kinezë të Mao Ce Dunit, apo skandalet e sotme diplomatike ët Hugo Çavezit. Eliminimi i borgjezisë, gjobitja e kapitalit dhe dënimi i klasës punëtore dhe i disidentëve politikë mbeten sot e kësaj dite prova kryesore që do t’i shërbejë Edvinit për protestën e 10 tetorit. Ai ka urdhëruar kasnecët e tij, që tashmë pritet të mbushin jo vetëm selinë e PS-së, por edhe parlamentin, që të mos lejojnë asnjë nga menshevikët e këtyre ditëve që të shfaqen atë ditë në bulevardin kryesor të Tiranës. Ben Blushi, Arben Malaj dhe Kastriot Islami rrezikojnë të përballen me një barrikadë të vërtetë njerëzore kur të dalin nga shtëpitë, pasi urdhri është që maocedunidenë e 10 tetorit të mos e eklipsojë asgjë, as menshevikët e ditëve tona - me fjalë të thjeshta as eksponentët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, brenda Partisë Socialiste. Protestën nuk mund ta shqetësojnë as pensionistët politikë, që synojnë të paraqiten si asetet e lëvizjes së re ylberiste - me fjalë të tjera as Dritëro Agolli, as Servet Pëllumbi e as ndonjë moshë tjetër e tretë që për momentin nuk na vjen ndër mend. Edhe për ata, Saimir Tahiri dhe të rinjtë e tjerë të paprovuar ende në rrugë kanë marrë udhëzime specifike, që të mos i lënë të dalin përtej bllokut të pallateve.

Hugo Çavez ka dhënë tashmë shembullin se në rrugë duhet të zbresin vetëm të shëndetshmit, veç të lidhurit me një kauzë pushtetore si dhe ata që kanë ndonjë marrëdhënie personale me liderin.

Kështu që kjo aksiomë që vjen që nga koha e Leninit dhe e Stalinit do të zbatohet edhe në 10 tetorin e ardhshëm, si një shëmbëlltyrë e ndërkallur e paradave të ylberistëve dhe e lëvizjeve haxhiqamiliste, maocedunideske dhe sindikaliste të patriarkëve të së majtës. Edvini po synon me 10 tetor simbolikën dhe do të korrë rezultatet që verteton historia, tkurrjet partiake, dëmtimet shëndetësore e profesionale të entourage-it, por përfundimisht edhe turpërimin e një aksioni politik që s’ka perspektivë. Prej 10 tetorit do të dalë veç një lëvizje socialdemokrate që do të angazhohet t’u kthehet institucioneve, por që si angazhim sektar do të ketë angazhimin në një luftë civile kundër pinjojve që në shekullin 21 kanë të vetmin frymëzim marksizëm-leninizmin dhe maocedunidenë.

Është një perspektivë që Edvinit i parathotë veç dështim dhe ky lexim mbetet kaq i thjeshtë sa shumica e anëtarësisë socialiste tashmë e kanë parathënë në tubimet paraardhëse... 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›