E Diel, 1 Nëntor 2026

Amantia, projekti i ri i gërmimeve arkeologjike për vitin 2013

TIRANË- Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë miratoi sot, projektet e reja të gërmimit arkeologjik shkencor për vitin 2013, ku përveç atyre që janë vazhdim nga viti që shkoi, do të fillojë edhe një projekt i ri në rrënojat e qytetit antik të Amantias.

Ky projekt do të përqendrohet në problemet e urbanizimit të saj në periudhën antike ndërkohë që në vitin 2008 aty filloi një survejim arkeologjik me gërmimet për informacione, pas 50-vitesh që ajo ishte lënë në harresë.

Drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita prezantoi gjatë mbledhjes së radhës të KKA-së, projektet e këtij viti, ku mes të cilave jana: zona e Butrintit, fshati Kodër i Tepelenës, Sërvej në Luginën e Langaricës të Vjosës së sipërme, gërmim në Vashtëmi, gërmime për prehistorinë në Maligrad, gërmime në Apoloni, Hadrinopol, Foinike, Antigonea, Dimal, Orikum. etj.

“Kemi fatin që së shpejti të kemi edhe hartën e të gjitha qëndrave arkeologjike nënujore, pasi në territorin e Shqipërisë ka shumë materiale arkeologjike që janë nën ujë, anije të mbytura etj, të cilat në shumë vende të botës shfrytëzohen për turizëm”, tha Përzhita.

Gjatë mbledhjes së sotme të KKA-së u prezantua edhe relacioni i projekteve të realizuara gjatë vitit 2012. Vitin e kaluar u realizuan projekte pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë, ku përmendim Projektet e Vashtëmisë, Kallamasit, Maligradit, Apollonisë, Foinikes, Antigonesë, Dimalit, Orikumit, Shkodrës, Butrintit, Projekti i Monumentit të 40 Shenjtorëve, Sarandës, Bylisit, Vlorës, Lezhës, Komanit, Elbasanit, etj.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti, në cilësinë e Kryetarit të KKA-së, tha se projektet do të kenë si synim përdorimin e objekteve si pjesë e turizmit kulturor. “Objektiv mbetet ruajtja dhe mbrojtja e siteve arkeologjike”, tha Zhiti.

Projektet e vitit të kaluar dhe të këtij viti kapin një periudhë të gjatë kohore që mbulohen nga Departamenti i Prehistorisë, Departamenti i Antikitetit dhe Departamenti i Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës në Institutin e Arkeologjisë.

Një pjesë e mirë e projekteve do të zbatohen edhe këtë vit, në bashkëpunim dypalësh ndërmjet Institutit Arkeologjik, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe instituteve, shkollave dhe universiteteve të huaja, franceze, italiane, gjermane, polake, etj.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›