E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Rama fyen të rinjtë 15 vjeçarë, denigron punën e mësuesve

TIRANË- Ministria e Arsimit reagoi sërish ndaj deklaratave të kryesocialistit Edi Rama, sipas të cilit 57 për qind e nxënësve nuk kuptojnë se çfarë lexojnë.

“Rama hodhi një shashkë tjetër në vazhdën e sulmit kundër arsimit shqiptar. Pasi nuk arriti të bindë shqiptarët, se 15 në 100 veta janë analfabetë, sot nxorri një strategji tjetër se nxënësit, nuk kuptojnë se çfarë lexojnë dhe kjo sipas tij bazohet në vlerësimin PISA 2009”.

Z. Rama, sipas ministrisë, fyen të rinjtë 15- vjeçarë dhe prindërit e tyre. “Sikur z. Rama të kishte takuar në jetën e tij qoftë edhe dy të rinj nxënës 15-vjeçarë atëherë do të kishte kuptuar fyerjen që u bën atyre, marrëzinë që thotë për arsimimin e tyre, reformat e bëra në arsim. Pasi ka fyer mësuesit, infermierët, policët, studentët, tani ka nisur të fyejë edhe nxënësit”.

Në fakt e vërteta është krejt tjetër. Studimi PISA 2009, faktoi që Shqipëria ishte një ndër tre vendet nga 65 të vlerësuara, që kishte bërë progresin më të madh në krahasim me vitin 2000, kur qeveriste Partia Socialiste.
PISA është vlerësim me besueshmërinë më të lartë dhe me një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e politikave arsimore në mbarë botën.

Nga raporti i PISA 2009, Shqipëria është vlerësuar si një ndër tre vendet me rritjen më të madhe në krahasim me rezultatet e mëparshme. Përkatësisht, Shqipëria është vlerësuar më 36 pikë më shumë se në vitin 2000, në fushën kryesore të lexuarit dhe të kuptuarit.

Vendi ynë ka ngjitur 5 shkallë në renditjen përfundimtare, në bazë të performancës së arritjeve të nxënësve të matura nga ky vlerësim, në krahasim me vitin 2000.

Rezultatet e arritura janë inkurajuese për të gjithë mësuesit dhe nxënësit e shkollave.

“Pra nga këto të dhëna duket qartë që nxënësit shqiptar konkurojnë denjësisht me bashkëmoshatarët e tyre dhe kjo falë punës së shkëlqyer të mësuesve dhe shkollave tona. Çdo përpjekje për të denigruar arsimin tonë dhe punën e mësuesve tanë si edhe investimin e familjeve shqiptare për shkollimin e fëmijëve tanë, është pjesë e strategjisë së Ramës për ta nxirë Shqipërinë”, thuhet në reagim.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›