E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amatorizmi politik, kur trazohet, sjell viktima...

 

Politikat që ndiqen mes qytetërimeve dhe mes shteteve janë politika interesash reciproke. Në këtë fazë të zhvillimit shoqëror ku ndasitë ideologjike i përkasin të shkuarës, kontradiktat ndërqytetërimore do të jenë ato që do të nxisin zhvillimet. Perëndimi sot ka një ngadhënjim total në të gjitha fushat, si dhe aftësi të ndikojë mbi politikat, ekonominë e sigurinë pothuajse në të gjithë botën. Mirëpo ana tjetër e medaljes është mjaft e ndryshme. Ajo paraqet një qytetërim në rënie. Perëndimi po ballafaqohet me rritjen e ngadaltë të ekonomisë, me papunësinë, me popullsinë që nuk shtohet, rënien e etikës së punës, me shpërbërjen, drogën e krimin. Fuqia ekonomike me shpejtësi të paparë po kalon në qytetërimet e Azisë Lindore.

Amerikës, për të dyfishuar prodhimin për frymë i është dashur rreth 50 vjet, ndërsa Japonia e arriti këtë në 30 vjet, Indonezia në 17 vjet, dhe Kina në 10 vjet.

Udhëheqësit e këtyre vendeve këtë rritje e argumentojnë me virtytet e kulturës konfuciane, që ka në themel disiplinën, përgjegjësinë familjare, kolektivizimin, përmbajtjen nga veset dhe punën e palodhur. Ata shprehen se vlerat aziatike janë universale, ndërsa ato të Europës janë… vetëm europiane. Ndërkohë qytetërimi islamik po merr përditë e më shumë një qëndrim të theksuar antiperëndimor.

Sidoqoftë, epërsia e Perëndimit mbi qytetërimet e tjera do të vazhdojë. Pikërisht edhe politikat që ai sot ndjek, janë në interes të këtij qëllimi.

Shqipëria që në hapat e para të demokracisë, ka qenë konsekuente e politikës së anëtarësimit në Europë, si e vetmja zgjidhje për të ardhmen e shqiptarëve. Këtë bashkim ne e shohim si një bashkim organin që historia na e privoi dhe jo sipas parimit "Të vajtjes pas qerres së më të fortit".

Mirëpo dëshirat duhet të jenë reciproke. Është aftësia e politikës dhe e diplomacisë ajo që bën të përputhen ato. Amatorizmi politik në këtë tranzicion të tejzgjatur, është shkaktari kryesor që Shqipëria nga një vend me pretendime për në Europë, të rreshtohet në listën e vendeve më të varfra të Azisë e Afrikës. "Amatorizmi politik, kur trazohet, sjell viktima...", thotë më në fund të testamentit gjeniu Ajnshtajn. Politika Shqiptare ende vazhdon të vërtetojë këtë aksiomë në kurriz të shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›