Varfëria po shfaqet dukshëm në greva ekstreme dhe grabitje
Ka ardhur koha ta pyesim Kryeministrin, ku po e çon Shqipërinë? Ajo po mbulohet nga varfëria. Jo rastësisht janë shtuar rastet e sulmeve për grabitje lekësh në rrugë, madje dy tre syresh i kemi patur në qendër ët Tiranës. Varfëria po bëhet kërcënuese. Ajo gjen shprehjen e vet edhe në grevat e Urisë të punëtorëve të Gërdecit dhe të Minatorëve. Shyqyr që Ministri Ruli u kujtua të flasë për minatorët e të fitojë të drejtën në publik të quhet Ministër.
Kështu siç bënë me Gërdecin, me minatorët po bënë dhe me ish-ushtarakët duke bërë lojën e kungulleshkës. “Do Saliu, s’do Saliu” edhe më keq akoma kur na nxjerr një zv. Ministër të Mbrojtjes, Karabinën të na tundë dollarët që, pas asaj dite, nuk e dimë se ku humbi, siç duket deri aty ish detyra, pasi ato të Gërdecit dhe vdekjet e minatorëve nuk ua kanë mbushur syrin.
Para për të paguar Fatos Nanon dhe kush e di sa të tjerë si ky, që pa punuar marrin rroga të majme ju kini, por për të paguar ata që i vratë me pisllëqet tuaja, nuk kini. Zoti na ruajt nga fjalët e liga që Kryeministrit me rritjen e pagave e pensioneve i shtohen 84.000 lekë të reja rrogë mujore. Kushdo e sheh dhe e kupton se përplasja me Presidentin është nga hobet më të pëlqyera të Kryeministrit.
Bamir Topin e zgjodhi për vete Berisha, çka tani që i kundërvihet? Shqetësohet Amerika dhe Evropa, marrin takim me Topin dhe i japin të drejtë. Po brenda PD-së nuk ka ndonjë burrë që t’i thotë miqësisht këtij: Ore, ku të çon mushka...?